Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, pas takimit me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Miro Cerar, ka deklaruar se Sllovenia është një model i mirë dhe se nga perspektivat që i ka Maqedonia dëshiron t’i ngjasojë këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përbashkët për media, Dimitrov tha vizita e homologut të tij slloven po realizohet në këto ditë “me rëndësi historike” për Maqedoninë, duke shtuar më tej se kjo është vizita e parë zyrtare e ministrit Cerar në një vend të huaj, pas marrjes së postit si kryediplomat i Sllovenisë.
“Nuk duhet të habitemi se në Slloveni kemi një mik shumë të afërt që nuk varet nga ideologjitë politike të një qeverie apo të një tjetre. Për më tepër, unë jam i bindur se Sllovenia është një model i mirë çfarë Maqedonie mund të bëjmë. Sllovenia gjithmonë ka qenë pak më tepër e organizuar dhe e zhvilluar nga vendet tjera në rajon. Mendoj se nga perspektiva jonë duam që Maqedonia të ngjasojë me Slloveninë”, deklaroi ministri Dimitrov.
Më tej, ministri Dimitrov theksoi se vendi i tij me Slloveninë në muajt e fundit kanë shënuar një rritje të shkëmbimit tregtar dhe rritje të investimeve, ndërkohë tha ai, Sllovenia po ashtu politikisht mbështet fuqishëm rrugën e integrimeve euroatlantike të Maqedonisë.
Ndërkaq, zv/kryeministri dhe shefi i diplomacisë sllovene, duke iu referuar zhvillimeve aktuale politike në Maqedoni, tha se Sllovenia mbështet plotësisht Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike, si dhe përshëndeti votimin e Kuvendit për të filluar proceset e ndryshimeve kushtetuese të parashikuara në Marrëveshjen e Prespës.
Cerar theksoi se është i vetëdijshëm se referendumi konsultativ në Maqedoni nuk i përmbushi kërkesat themelore ligjore për census, por shtoi se rezultati ishte pozitiv, dërgoi një mesazh të fuqishëm nga populli për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe se procesi në Kuvend është legjitim.
“Procesi kushtetues në Kuvend është legjitim dhe pasqyron vullnetin e qytetarëve. Sllovenia dëshiron që Maqedonia të anëtarësohet në NATO dhe BE, por edhe për interesa të saj. Çështja e anëtarësimit duhet të jetë vetëm çështje kohe, duhet të fillojnë negociatat e para anëtarësimit që Maqedonia e meriton”, deklaroi Cerar.
Sipas tij, Maqedonia ndodhet në një moment historik dhe vendimet që do të miratohen muajve të ardhshëm do të jenë me rëndësi historike jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin.
Kryediplomati Cerar qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni me ftesë të homologut të tij maqedonas. Të dy kryediplomatët realizuan një takim kokë më kokë, pas së cilës udhëhoqën edhe takimin midis dy delegacioneve.
Gjatë ditës, Dimitrov dhe Cerar po ashtu do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së ndërtesës së re të Ambasadës sllovene në Shkup. Në kontekstin e negociatave për anëtarësim në NATO, Dimitrov bëri të ditur se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Sllovenia do të jetë ambasada e kontaktit për Maqedoninë, respektivisht do të marrë detyrën nga Kroacia, e cila aktualisht është kontakti i Maqedonisë në lidhje me Aleancën.
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstac...
Rama: Shqipëria Turistike, në gjigantin mediatik amerikan Wa...
Chelsea kthehet te fitorja, triumfon në udhëtim te Leicester...
Sulmet izraelite në Gazë, shkon në 189 numri i gazetarëve të...
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Shtërpcë, policia ni...
Osmani takohet me ministren kanadeze, diskutojnë për situatë...