Porosia e deputetit gjerman për Serbinë: Pa njohjen e Kosovës, harrojeni anëtarësimin në Bashkimin Evropian

17:03 | 24 Tetor 2018
V. S.

Deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Beograd, një ditë pasi ai vizitoi edhe Kosovën ku u takua me liderët shtetëror.

Beyer nga Beogradi tha se ai e konsideron Kosovën si shtet të pavarur dhe se Serbia duhet që “de jure” ta njohë Republikën e Kosovës, në mënyrë që t’i hapë rrugë vetes për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton lajmi.net.

“Është e rëndësishme që secili ta kuptojë që nga fillimi kuptimin e dialogut, e që është normalizimi i marrëdhëniëve. Normalizimi i tyre nuk do të ndodhë pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo duhet të jetë e qartë”, ka thënë Beyer.

Beyer gjatë ditës së djeshme u takua edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i bëri të qartë qëndrimin se Gjermania  e përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ai në Prishtinë po ashtu theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke./Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme