Çrregullimi bipolar, i njohur gjithashtu si depresioni manik, është një gjendje e shëndetit mendor që shkakton ndërrime ekstreme në disponimin dhe nivelin e energjisë së një personi.
Një person me çrregullim bipolar mund të përjetojë periudha në të cilat ndjehet tepër i lumtur apo energjik (të quajtura episode manike apo mania), si dhe episode të depresionit. Këto ndërrime janë më të rënda se ndryshimet normale në humor, që prekin të gjithë njerëzit. Ato mund të përfshijnë të menduarit dhe sjelljet që shkaktojnë dëmtim dhe mund të ndikojnë në aftësinë e personit për të funksionuar në baza ditore (APA, 2018).
Ekzistojnë tre lloje themelore të çrregullimeve bipolare; të gjitha ato përfshijnë ndryshime të qarta në disponim, energji dhe nivelet e aktivitetit:
Çrregullimi I bipolar– i përcaktuar nga episod manike që zgjasin të paktën 7 ditë, ose nga simptoma manike që janë aq të rënda sa që personi ka nevojë për kujdes të menjëhershëm spitalor.
Çrregullimi II bipolar– i përcaktuar nga të paktën një episod depresiv dhe një episod hipomanik (formë më e lehtë e manisë).
Çrregullimi ciklotimor (i quajtur edhe ciklotimë) – i përcaktuar nga periudha të shumta të simptomave hipomanike, si dhe periudha të shumta të simptomave depresive që zgjasin së paku 2 vjet (1 vit tek fëmijët dhe adoleshentët) (NIMH, 2016).
Diagnostifikimi
Kriteret diagnostifikuese për çrregullimin bipolar janë kryesisht të njëjta si për fëmijët dhe për të rriturit, megjithëse ka disa dallime të dukshme në prezantimin e simptomave. Në mënyrë të veçantë, depresioni tek fëmijët nuk mund të paraqitet si anhedoni (pamundësia për të ndjerë kënaqësi) dhe humor depresiv, por mund të paraqitet më shumë si nervozizëm. Një episod depresiv shfaqet kur një individ është në gjendje depresive ose anhedoni, e shoqëruar me shqetësime me gjumim dhe të ngrënit, ngadalësim psikomotorik, ndjenjat e fajit, ulje koncentrimi, mungesën e energjisë dhe idetë për vetëvrasje, për të paktën një javë (Richard & Bearden, 2017). Një episod manik, nga ana tjetër, identifikohet kur individët kanë një humor të ngritur ose nervoz (irritable mood), që zgjat për të paktën një javë ose, nëse është më pak se një javë, kërkon hospitalizim. Paraqitja e simptomave mund të përfshijë zvogëlimin e nevojës për gjumë, të folur nën presion, fluturimin e ideve, dekoncetrimin dhe rritjen e aktivitetit të drejtuar nga qëllimi, së bashku me pjesëmarrjen e tepërt në aktivitete të këndshme (Goodwin & Jamison, 2007).
Komorbiditeti
ADHD (Çrregullimi i vëmendjes dhe hiperaktivitetit) – Është treguar se 60-90% e fëmijëve dhe adoleshentëve me çrregullim bipolar vuajnë nga ADHD komorbide. Kjo mund t’i atribuohet pjesërisht nivelit të lartë të përkimit të kritereve diagnostike mes këtyre dy diagnozave, duke përfshirë simptomat e dekoncentrimit, hiperaktivitetit dhe të folurit nën presion. Në fakt, edhe kur këto simptoma që përkojnë hiqen nga numërimi diagnostik, rreth 89% e të rinjve me çrregullim bipolar vazhdojnë të plotësojnë kriteret e plota për ADHD (Doerfler, Connor, & Toscano , 2011). Kur dallojmë çrregullimet bipolare nga ADHD, është e rëndësishme të theksohet se fëmijët me çrregullim bipolar kanë luhatje delikate episodike dhe simptoma të dallueshme të manisë. Poashtu, simptomë e çrregullimit bipolar mund të jetë edhe hiperseksualtiteti, simptomë kjo që nuk është tipike për ADHD (Goldstein, 2012).
Conduct Disorder (Çrregullimi i sjelljes) – Shkalla e komorbiditetit mes conduct disorder dhe çrregullimit bipolar varion nga 48%-69%. Hulumtuesit kanë gjetur prova për përputhjen e simptomave mes këtyre dy çrregullimeve, simptoma të tilla si: irritimi, armiqësia, nervozizmi dhe impulsiviteti. Përderisa irritimi është treguar të jetë një simptomë që paraqitet në çrregullime të ndryshme të fëmijëve dhe adoleshentëve, nervozizmi në çrregullimin bipolar dhe në conduct disorder është i rëndë dhe i dhunshëm. Poashtu, fëmijët me cilëndo nga dy diagnozat mund të tregojnë sjellje të papërshtatshme seksuale dhe ndërveprime sociale të disinhibuara dhe të kryejnë veprime të ulëta siç janë vjedhja e parave dhe kartave të kreditit të prindërve të tyre (Kim & Milkowitz, 2002).
Çrregullimet e Ankthit- Fëmijët dhe adoleshentët me çrregullim bipolar kanë norma më të larta të panikut, ankthit të përgjithësuar dhe çrregullimit të ankthit pas ndarjes. Në fakt, prevalenca e çrregullimit të panikut u gjet të jetë rreth 21% në mesin e atyre me çrregullim bipolar (Puentes, Camacho, Sala, & Galvez, 2013). Është interesante që klientët me çrregullim bipolar dhe ankth komorbid u raportuan të kenë norma më të larta abuzimi me alkoolin dhe tendencat vetëvrasëse, krahasuar me pacientët bipolar pa ankth komorbid. Në kontrast me natyrën episodike të çrregullimeve bipolare, fëmijët me çrregullim ankthi të përgjithësuar (domethënë pa çrregullime bipolare) kanë tendencë të kenë simptoma kronike të tilla si ngacmimi i vazhdueshëm, shqetësimi dhe përqëndrimi i dobësuar (Goldstein, 2012).
Prevalenca
Studimet familjare tregojnë se fëmijët e një prindi me çrregullim bipolar kanë një shans prej 25% të zhvillojnë një çrregullim të humorit, ndërsa fëmijët e dy prindërve me çrregullim bipolar kanë një rrezik 50-75% të zhvillimit të një çrregullimi të humorit. Poashtu, fëmijët e prindërve me çrregullim bipolar janë gjetur të kenë norma më të larta të ADHD (çrregullimi i vëmendjes dhe hiperaktiviteit) krahasuar me fëmijët, prindërit e të cilit nuk kanë këtë lloj çrregullimi (Sadock & Sadock, 2007).
Trajtimi
Ekzistojnë dy forma të trajtimit të këtij çrregullimi; trajtimi me anë të medikamenteve dhe trajtimi psikosocial.
Trajtimi me medikamente– Medikamentet me miratimin e FDA (agjenci federale e shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore) për trajtimin akut të çrregullimeve bipolare të fëmijërisë / mania janë: litiumi (për moshat 12 vjeç e lart) dhe aripiprazoli antipsikotik atipik, risperidon, quetiapine (për moshat 10 vjeç e lart) dhe olanzapinë (për moshat 13 vjeç e lart). Krahasuar me të rriturit, fëmijët dhe adoleshentët me mani kanë përgjigje më të madhe ndaj antipsikotikëve atipikë dhe përjetojnë efekte më ulëta reagimi ndaj trajtimit me stabilizantët e disponimit divalproex dhe litium (Pavuluri, Henry, Findling, & Parnes, 2010). Qëllimi kryesor në trajtimin e manisë është stabilizimi i humorit dhe parandalimi i përsëritjes së episodeve. Komponentë e rëndësishme në këtë fazë afatgjatë të trajtimit përfshin vlerësimin e simptomave të mbetura si dhe trajtimin e efekteve anësore. Sa i përket depresionit, nuk ka ilaçe të miratuara nga FDA për depresion bipolar tek fëmijët dhe adoleshentët, me përjashtim të quetiapine që mendohet të jetë efektive në trajtimin e depresionit bipolar tek të rriturit dhe që është përdorur në popullatën e fëmijëve dhe adoleshentëve me efikasitet të arsyeshëm (Krieger & Stringaris, 2013).
Trajtimi psikosocial– Terapia kognitive bihejviorale si dhe terapia familjare mendohen të jenë efektive në trajtimin e çrregullimin bipolar, qoftë të përdorura vetëm, qoftë në kombinim me medikamente. Terapia familjare është terapi psikoedukative e krijuar për të zvogëluar stresin dhe konfliktin familjar duke optimizuar komunikimin dhe zgjidhjen e problemeve midis klientit dhe kujdestarëve (prindërit). Qëllimet e këtij trajtimi përqendrohen në rritjen e kuptimit të simptomave të gjendjes shpirtërore (disponimi), rritjes së aftësive të komunikimit dhe reduktimit të dëmtimeve në funksionimin social (Renk, White, & Lauer, 2014). Në anën tjetër, terapia kognitive bihejviorale ndihmon klientin të shqyrtojë se si mendimet e tij/saj ndikojnë në emocione duke ndihmuar të ndryshojnë modelet negative të sjelljes dhe të menduarit në modele pozitive. Poashtu, për çrregullimin bipolar, fokusi kryesor është menaxhimi i simptomave, shmangia e shkaktarëve që e kthejnë klientin në gjendjen fillestare dhe zgjidhja e problemeve (Krieger & Stringaris, 2013)./revista psika
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...
Kina dislokon forca ajrore e detare, pasi SHBA-ja dërgoi një...
Arrestohen dy persona duke kontrabanduar municion nga Serbia...
Mbi 1 mijë e 898 tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëv...
Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj...
Ministri Peci i “zhytur” në skandale, punësime familjare, e ...