Google ADS

Kë paguan Greqia në Shqipëri?

23:15 | 23 Tetor 2018
Arbresh.info

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme u trajtua tema e fondeve sekrete të Ministrisë së Jashtme greke që paguan individë, shoqata apo media në Shqipëri.

Të hënën, në disa media shqiptare qarkulloi një listë me emra të supozuar të personave që janë paguar nga fondet sekrete greke.

Por, gazetari shqiptar në Greqi, Robert Goro, në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion” tha se kjo listë me emra nuk është e vërtetë dhe se emri i përmendur i gazetës greke nuk ekziston në variantin print apo online.

Ai shtoi gjithashtu se lista e vërtetë me këto emra nuk do të dalë kurrë, pasi disponohet nga ministri i Jashtëm grek dhe dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Ndërkohë, në studio pati një debat mes panelistëve për këtë çështje. Drejtori i Arkivave, Ardit Bido tha se financimet sekrete greke në vendin tonë janë tepër prezente. I këtij mendimi është edhe Tomor Alizoti, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kurse pedagogu dhe gazetari Panajot Barka, i pyetur se kush është paguar me paratë e Greqisë, ai tha se nuk ka dijeni për emrat në listë, duke argumentuar se për këtë arsye quhet listë sekrete.

I ftuar në studio, ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo shprehet se kur ai drejtonte Ministrinë e Jashtme Shqipëria nuk ka pasur një fond sekret, ndonëse duhet ta kishte një të tillë.

Ardit Bido – Panajot Barkës: Nuk të pyeta kush të paguan, nëse je vullnetar apo me pagesë.

Blendi Fevziu: Ka një fond sekret të Ministrisë së Jashtme greke? Përse përdoret ky fond?

Panajot Barka: Nuk e di përse përdoret në Shqipëri, prandaj është sekret. Propaganda pro-greke në Shqipëri është inekzistente. Kush bën?

Blendi Fevziu: Portalet!

Panajot Barka: Ato janë insinuata. Mund të jenë dashamirës.

Blendi Fevziu: Kush është dashamirës?

Panajot Barka: Ju them unë, është një Kurti. Në Shqipëri këta njerëz me ato fonde bëjnë punën e tyre, për atë që i paguajnë.

Tomor Alizoti: Është një skandal i përmasave të mëdha. Dhe në Greqi është skandal, se Kryeministri pranon që ka një fond sekret në Shqipëri. Ne me grekët kemi historikisht një fërkim, nuk kemi fqinj të qetë. Po të ishte shtet serioz Shqipëria, mblidhej Parlamenti urgjent. Në moment që ky fond është sekret, atëherë nuk është legal. Çfarë duhen fondet sekrete në Shqipëri?

Panajot Barka: Nuk e di, prandaj është sekret.

Tomor Alizoti: Greqia ka pretendime territoriale.

Panajot Barka: Pretendimet territoriale kush i shfaq? Sekrete janë për mënyrën e përdorimit.

Arjan Çurri: Njëherë në muaj një punonjës diplomat super sekret i Ministrisë së Jashtme greke, me një valixhe sekrete i drejtohet kryetarit të parlamentit grek, dhe ka 3 kode. Këto 3 kode kanë dalë. Ata shikojnë kodet përkatëse dhe shifrat dhe ku shkojnë këto. Në vitin 2017, vet Kotzias kaloi një ligj dhe Parlamenti këto i miraton. Një kod është për lobim të interesave greke në Maqedoni për shkak të marrevëshjes, i dyti është tek ne se dhe tek ne janë duke bërë një marrëveshje dhe i treti është që financojnë kisha. Shkojnë për media, politikanë, shoqata. Çfarë bëjmë ne? A kemi ne Prokurori, SHISH, Parlament, opozitë, mazhorancë?

Blendi Fevziu: Milo, ke pasur fond sekret?

Paskal Milo: Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk ka pasur fonde sekret, por nëse do të kishte mundësi duhet të kishte fond sekret. Së pari, fondet shpenzohen në mënyrë të veçantë me institucionet që merren me opinionin publik, në mesin e të cilave janë mediat. Formën nuk e di, por shpenzon në media. E dyta, jepen bursa studimi, nga ai fond dalin prapë. Një numër aktivitetesh të tilla të cilat ndikojnë opinionin publik të një vendi të caktuar me një target të caktuar. /tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme