Hungaria është “Meka” e europianëve për trajtimet shëndetësore, sidomos ato të dhëmbëve. Çmimi i leverdisshëm, cilësia e lartë. Vetëm në 2017-n Hungaria pranoi 2,5 milionë turistë për trajtime shëndetësore e wellness, raporton DW.
Kur aktorja e komedisë, Chris Reuter vendosi të udhëtojë nga Berlini në Hungari për një trajtimit kompleks të dhëmbëve, ajo nuk e dinte se po vinte në lëvizje një makineri ekonomike.
Të paktën për një shoqëri fluturimi, një hotel, pak restorante në Budapest qendra e wellness-it që ajo vizitoi, dentisti në klinikën hungareze, agjencia gjermane që organizoi udhëtimin, – të gjithë këta të lartpërmendur morën pjesën e tyre nga torta. Të mos harrojmë botuesin e një libri gatimesh të gulashit tipik hungarez që ajo e mori me vete si suvenir.
Turizmi mjekësor, i cili përbën 5% të të gjithë zbritjeve në aeroportet ndërkombëtare dhe vendore në BE pritet që të shënojë rritje, sipas një studimi të Parlamentit Europian. Veçanërisht nga viti 2014, pas një direktive europiane për lejimin e trajtimit shëndetësor mes vendeve të BE. Shuma e përfituar nga ky turizëm mjekësor kap shifrën e 47miliardë eurove, 0,33% e prodhimit të përgjithshëm bruto të vendeve të BE-së.
Për Chrisin vendimi nuk ishte i vështirë, megjithëse ajo nuk kishte qenë asnjëherë në Hungari – çmime të ulta për një buzëqeshje të re, standarte të larta mjekësore, dentisti fliste rrjedhshëm gjermanisht. E gjitha kjo në dekorin fantastik të Budapestit. As siguracioni shëndetësor i Chrisit nuk kishte gjë kundër këtij trajtimi, sepse për të dyja palët ujdia ia vlente.
“Siguracioni nuk ka pasur asgjë kundër trajtimit shëndetësor. Klinika në Hungari i dërgoi shpenzimet që rimbursoheshin në Gjermani dhe unë e mora lejen me faks për disa ditë. Kostot u mbuluan saktësisht, sikur do ta kisha bërë këtë trajtim në Gjermani”, thotë aktorja për Deutsche Wellen.
Hungaria ka kohë që është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët mjekësorë dhe ata që duan trajtime wellness. Por në vitet e fundit është kthyer në destinacionin më të rëndësishëm për trajtimet dentale. Të paktën për qytetarët nga vendet veriore të BE-së që paguajnë 50-80% më shumë për një trajtim të tillë në vendet e tyre. Trajtimin e Chris e organizoi agjencia “Klinika e Dhëmbëve-Hungari” me qendër në Potsdam që ka organizuar deri më tani 20.000 trajtime për pacientë gjemanë dhe zviceranë.
Sipas statista.com numri i klinikave dentare dhe dentistëve në Hungari shënon rritje. 6.083 dentistë ishin të punësuar në vitin 2016. Edhe numri i klinikave në afërsi të kufirit me Austrinë shënon rritje. Oferta është përshtatur për klientët – personeli flet perfekt anglisht dhe gjermanisht. Chris Reuter kujton se “njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të gjithë flasin gjermanisht. Trajtohesh sikur të jesh pacient privat.”
Ndjesia e të trajtuarit mirë si një pacient privat tërheq edhe paciantë të tjerë, si Iasmina Carstea, një ekonomiste nga vendi fqinj, Rumania, e cila shkon rregullisht në klinikën e Szeged, një qyteti juglindor të Hungarisë.
“Gjithmonë kam zgjedhur të shkoj tek doktorët hungarezë”, i tha ajo Deutsche Welles. Jo vetëm ajo, shumë pacientë rumunë shkojnë për trajtim në Hungari. Standartet e jetës në Hungari janë më të larta se në Rumani, kështu që ndryshe nga pacientët austriakë apo gjermanë, kostot nuk janë impulsi që i tërheq rumunët, por trajtimi i duhur.
Por çdo cent i shpenuzar ia vlen, thotë Lorena Garoiu, një piktore rumune që shkon rregullisht në Budapest për trajtime wellness.
“Ujërat termale në Banjat e Gellert kanë qenë shumë të rëndësishme për hernien diskale. Kam pasur përmirësim që nga hera e parë që kam qenë aty”, thotë ajo. 60% e turistëve që vijnë në Budapest e zgjedhin qytetin për wellnesin, thotë Szilvia Czinege, kryetare e marketingut të Budapest Spa. Jo vetëm që ky vend është një pikë e rëndësishme për klinikat dentale, por në Budapest ka edhe 100 burime natyrore të llixhave, që janë përdorur nga romakët që në kohët e lashta.
Vetëm në vitin 2017, Hungaria pranoi 2,5 milionë turistë për trajtime mjekësore dhe ato wellness, bën të ditur Zyra Hungareze e Statistikave. Aktorja berlineze erdhi një vit më vonë për kontroll në Hungari.
“Trajtimi ishte i suksesshëm”, thotë Chris, me një buzëqeshje ku dhëmbët ndriçojnë./DW/
Aksident me vdekje në Bulqizë, makina del nga rruga
Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem
Man United ‘kontakton’ yllin e Real Madridit – duan ta bëjnë...
Bislimi në takim me ministrin për Bashkimin Evropian të Polo...
Arrestohet një person në Zveçan pasi i gjenden armë në shtëp...
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëb...