Nga të dhënat e mbledhura, del se brenda vitit 2017 Zyra e Kryeminstrit dhe kabinetet e 12 ministrive kanë shpenzuar 261,736 euro për karburant për vetura. Më së shumti ka shpenzuar Kabineti i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit me rreth 60 mijë euro. Pas tij radhitet ZKM me 14 mijë euro më pak.
Në janar të vitit 2008 është hartuar Udhëzimi Administrativ nr.03/2008 i cili përcakton rregullat dhe procedurat për përdorimin ekonomik dhe efikas të automjeteve zyrtare të Qeverisë së Kosovës nga punonjësit e institucioneve publike. Në të shpalosen edhe kategoritë e zyrtarëve që kanë të drejtë të përdorin automjetet zyrtare.
Bazuar në nenin 3 të këtij udhëzimi, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, sekretari i përhershëm i ZKM-së dhe shefi i kabinetit të kryeministrit lejohen të përdorin automjetet shtetërore për qëllime zyrtare për 24 orë.
Ndërsa nëpunësve të caktuar mund t’u lejohet përdorimi i automjeteve zyrtare edhe jashtë orarit zyrtar të punës me vendim të ministrit, me propozim të sekretarit të përhershëm, kryeshefit ekzekutiv apo udhëheqësit më të lartë të organizatave buxhetore të institucionit përkatës.
Për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtij udhëzimi, u krijua edhe Njësia për Monitorimin e Përdorimit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Kjo njësi ka për qëllim që të mbajë një regjistër mbi përdorimin e veturave zyrtare nga të gjitha institucionet publike, të mbajë shënime për shpenzimet e derivateve, riparimeve dhe kilometrave të kaluara për secilin automjet.
Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të detajuara të shpenzimeve të derivative për vetura për vitin 2017 nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe ministritë.
Edhe pse të dhënat e tilla ligjërisht do të duhej të publikoheshin në ueb faqet zyrtare të ministrive, sërish kërkesës sonë i refuzuan t’i përgjigjen gjashtë ministri: Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ministria e Drejtësisë është e vetmja ministri që publikon shpenzimet në baza javore në uebfaqen zyrtare, ku përfshihen edhe ato për karburant, por që nuk ishin lehtë të qasshme dhe të lexueshme për qëllim të hulumtimit tonë. Pra, Ligji për Qasje në Dokumente Publike edhe më tutje vazhdon të mos respektohet.
Numër të njëjtë të përgjigjeve kemi marrë edhe këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, ku gjithsej janë përgjigjur 12 ministri dhe Zyra e Kryeministrit. Ministria e Punëve të Brendshme disa prej shpenzimeve i ka ofruar të personalizuara e disa sipas pozitës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit një pjesë të shpenzimeve i ka ofruar të personalizuara, ndërsa pjesën tjetër me targa të veturave. Ministria për Komunitete dhe Kthim të gjitha shpenzimet i ka ofruar me targa të veturave. Ndërsa, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike kanë ofruar të dhëna të përgjithshme.
Për vitin 2017 për shpenzimet për karburant më së shumti ka shpenzuar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Pas tij radhiten Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.
4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Kumba...
Fshehën kokainën në lëkurë të kafshëve, të dyshuarit dalin s...
Ismaili: Sektori financiar në Kosovë stabil dhe mirë i kapit...
“E lirë je prej meje”, a po ftohen raportet mes Gjestit dhe ...
Deponim dhe kundërmim, kriza me mbeturina në shtetet e Ballk...
Dita e ndeshjes, Kosova pret në ‘Fadil Vokrri’ Lituaninë