Kosova përfaqësohet me 10 kompani në Panairin më të madh botëror SIAL 2018

16:16 | 21 Tetor 2018
V. S.

SIAL 2018 është panairi më i madh i ushqimit dhe pijeve në botë, ku rreth 7200 biznese nga 120 shtete të botës ekspozojnë produktet e tyre.

Sivjet, Kosova në këtë panair prestigjioz që mbahet në Paris përfaqësohet me 10 kompani të prodhuesve më të mëdhenj ushqimor, dhe atë Frutomania, ABI, Devolli Co., Ujë Rugova, Eurofood, Agrium, Bodrumi i Vjetër, Elkos (Pi&Ki) dhe Frutex, njofton Klan Kosova.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht KIESA kanë mbështetur praninë e kompanive kosovare në këtë panair financiarisht, ndërsa pronarët dhe përfaqësuesit e këtyre kompanive, u shprehën të kënaqur që Qeveria e Kosovës, në këtë rast MTI kanë bërë të mundur paraqitjen e kompanive të tyre në SIAL me të cilin rast janë hapur dyert e bashkëpunimit me kompani të tjera nga e gjithë bota.

Zv. Kryeministri Gashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me prezencën e kompanive dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme dhe më të madhe në panairet tjera.

”Ne kemi një produkt shumë kualitativ i cili e meriton që të eksportohet sa më shumë. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë prodhuesve vendor tani – dhe në të ardhmen, me shpresë që në katër ditët në vijim sa zgjat ky panair, kompanitë tona të nënshkruajnë sa më tepër kontrata me kompani të huaja për eksport. Puna dhe mbështetja jonë nga ana tjetër, nuk do të ndalet me kaq”, tha zvëvendëskryeministri Gashi.

Gashi vizitoi edhe një kompani prodhuese nga Shqipëria, e cila e vetmuar kishte ekspozuar prodhimet e saj, pasi që qeveria shqiptare nuk është përfaqësuar në nivel shteti dhe nuk ka dhënë mbështetje për prodhuesit vendor.

Nga ana tjetër, kompanitë e Kosovës që kanë ekspozuar produktet dhe veprimtarinë e tyre në këtë panair, u shprehën mirënjohës për Qeverinë që financiarisht ka ndihmuar duke paguar për tërë hapësirën që shfrytëzohet nga ta në SIAL.

Përfaqësuesi nga kompania Frutex, u shpreh i kënaqur me ndihmën e ofruar për tu përfaqësuar në këtë panair prestigjioz.

”Është mundësi e mirë për ne që të jemi prezentë këtu pasi që përmes kontakteve dhe takimeve kemi mundësi edhe të nënshkruajmë marrëveshje të ndryshme eksporti”, thanë ata.

Ndryshe, edhe kompanitë tjera pa përjashtim u shprehën falënderuese për MTI-në, dhe tërë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e ofruar, njofton Klan Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme