Google ADS

Protesta në Indi, pas aksidentit hekurudhor

21:23 | 20 Tetor 2018
Arbresh.info

Të afërmit e zemëruar të dhjetëra viktimave që u vranë në Indi nga një tren me shpejtësi, organizuan protesta të shtunën ndërsa një nga zyrtarët tha se hekurudha nuk është përgjegjëse për aksidentin tragjik.

Ministri i shtetit Punjab, Amarinder Singh u tha gazetarëve të shtunën se treni po udhëtonte me shpejtësi të madhe kur çau përmes një turme të premten në një festival fetar në periferi të qytetit verior të Amritsarit, duke vrarë 59 vetë. Zoti Singh tha se 57 të tjerë u plagosën dhe se një hetim zyrtar do të kryhet gjatë katër javëve të ardhshme.

Treni i linjës Jalandhar-Amritsar po udhëtonte me 90 kilometra në orë kur goditi turmën, e cila ishte mbledhur në shinat e trenit për të parë një shfaqje të fishekzjarreve që shënonte festivalin hindu të Dushehrës.

Qindra të afërm të viktimave morën pjesë në protesta sporadike në afërsi të platformës hekurudhore të shtunën, duke bërë thirrje për veprim kundër autoriteteve lokale dhe operatorit të trenit, i cili u mor në pyetje të shtunën nga policia.

Autoritetet i larguan protestuesit nga shinat dhe sollën përforcime për të kontrolluar turmën.

Aksidenti hekurudhor është më i rëndi në Indi në vite, por ministri që menaxhon hekurudhat indiane, sistemi i katërt më i madh hekurudhor në botë, refuzoi të pranonte përgjegjësinë.

“Hekurudhat nuk mund të fajësohen. Hekurudhat nuk u informuan për ceremoninë,” u tha Manoj Sinha gazetarëve të shtunën. Sinha përjashtoi ndonjë veprim ndëshkues kundër stafit të tij, duke thënë, “Nuk kishte asnjë vonesë nga ana jonë dhe nuk do të ketë asnjë veprim kundër trenistit”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme