Londër: Marshim kundër Brexit

18:13 | 20 Tetor 2018
Arbresh.info

As Brexit dhe as BE nuk janë shumë të dëshiruara.

Britanikët, që janë të frikësuar nga një jetë jashtë Evropës, do të mblidhen nga të gjithë cepat e vendit në Londër, në përpjekje për të ndaluar divorcin e pritshëm të vendit të tyre me BE-në.

Marshimi para Parlamentit është konceptuar si një çështje e zhurmshme dhe festive, që do të bashkojë dhjetëra mijëra vetë, me shpresën – ndonëse të vakët, – se do të bindin kryeministren Theresa May të mbajë një referendum të dytë për “Brexit”-in.

Organizatorët e të ashtuquajturit “marshim i votës së popullit” i kanë kërkuar madje pjesëmarrësve të nxjerrin në manifestim edhe kafshët e tyre.

Sidoqoftë, mesazhi është serioz: Brexit, që premtuan mbështetësit e tij para referendumit të qershorit 2016, nuk ngjason aspak me atë që po negociohet sot. Aktivistët thonë se do të kishin votuar kundër, nëse do ta kishin ditur koston e vërtetë.

“Është koha që shumica e heshtur, apo ajo jo shumë e heshtur, t’i shpalosë ato që ndien për ‘Brexit’-in. Ne duhet të thërrasim me një zë: Jo në emrin tim”, tha një protestues.

Një peticion “online” pro BE-së kërkon një votë të detyrueshme për çdo marrëveshje para marsit dhe është firmosur nga rreth një milion vetë.

Kryeministrja britanike e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë një votim të dytë. Sidoqoftë, alternativat me të cilat përballet Britania, për momentin variojnë nga një divorc i pastër pa asnjë marrëveshje, e deri te një ndarje me pak ndryshime, përveç faktit që Londra do të humbasë zërin e saj në BE.

E asnjëra nga këto alternativa nuk është e shumëdëshiruar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme