Sot u mbajte tryezë e kampanjës ‘Drejtësia dhe Biznesi’

16:35 | 19 Tetor 2018
Arbresh.info

Ministria e Drejtësisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, sot organizuan tryezë diskutimi në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe Biznesi” të ndërmarr nga Ministri Abelard Tahiri.

Kjo tryezë përfshiu përfaqësues nga bizneset e sektorëve të ndryshëm, përfaqësues të Fakultetit Juridik, Odave dhe Asociacioneve dhe Shoqata të ndryshme të biznesit, Odës së Avokatëve, përfaqësues të Departamentit Ekonomik pranë Gjykatës së Apelit dhe ekspert të kësaj fushe.

Ky diskutim u organizua me qëllim të promovimit të reformave që kanë filluar në kuadër të procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në fushën e Drejtësisë Komerciale.

Gjatë këtij diskutimi, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri potencoi ecurinë e deritanishme të procesit të Rishikimit Funksional në sektorin e Drejtësisë Komerciale dhe tha se rezultatet e analizave të deritanishme gjithëpërfshirëse tregojnë se Kosova përballet me mungesë të efikasitetit të sistemit gjyqësor, me fokus në këtë fushë.

Ai theksoi se është i vendosur që këtë gjendje ta ndryshoj duke mbështetur idenë e themelimit të një gjykate të veçantë për trajtimin e çështjeve me karakter komercial.

Kapacitetet e tanishme të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit nuk janë të mjaftueshme ishte konstatim ky i cili fuqishëm u mbështet edhe nga përfaqësuesit e gjyqësorit dhe bizneseve por edhe akterëve tjerë prezent.

Tahiri tha se është shumë i interesuar që çfarëdo reforme e cila vendoset të behët të jetë rezultat i një diskutimi të gjerë në mënyrë që implementimi i saj të jetë i lehtë, si rezultat i nevojës reale dhe gjithëpërfshirëse.

Rendësi e veçantë iu dha përbërjes dhe ndërtimit të një gjykate e cila do ti ketë të gjitha kapacitetet e nevojshme për tu përballur me kontestet eventuale të bizneseve në një ambient bashkëkohor të ekonomisë së tregut të lirë.

Andaj edhe u theksua se duhet të fillohet sa më parë të ngriten kapacitetet e nevojshme të cilat i nevojiten një gjykate të tillë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi foli për rëndësinë e madhe që ka një sistem efikas dhe transparent i drejtësisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai potencoi se Oda Ekonomike është duke kaluar reforma strukturore ku planifikohet edhe themelimi i një mekanizmi për mbrojtjen e interesave të bizneseve pranë kësaj Ode, me fokus në përforcimin e Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit dhe ofrimin e ndërmjetësimit përmes Tribunalit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme