Veton Surroi: Thaçi gjatë një mbledhjeje e kishte ofenduar rëndë Rugovën

12:01 | 19 Tetor 2018
Arbresh.info

Publicisti Veton Surroi ka thënë se presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi, gjatë një takimi të delegacionit kosovar në Rambuje, e kishte ofenduar rëndë ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Surroi në Debat Plus, në Tv Dukagjini, ka treguar se gjatë një mbledhjeje të mbajtur në Rambuje, Thaçi e kishte quajtur hajn Ibrahim Rugovën.

Sipas Surroit, ish-presidenti Rugova kishte qenë unifikues për shkak se përkundër ofendimeve që, sipas tij, ia bënte Hashim Thaçi, ai vazhdonte që të bashkëpunonte me të.

“Në Rambuje kemi shkuar pikë e pesë dhe jemi bashkuar në Rambuje dhe Rugova e ka pranuar Thaçin. Rugova ka qenë për unitet, për shkak se për negociatat e Vjenës, ai nuk ka pasur obligim ta thërrasë opozitën. Presidenti Rugova ka pasur reflektim, në momentin kur ka thënë: dakord unë nuk pajtohem me Thaçin por do të bashkëpunoj me të (në konferencën e Rambujesë v.j.), sepse Thaçi e ka ofenduar rëndë, e ka quajtur hajn në një mbledhje në Rambuje. Por, Rugova ka pranuar që të bashkëpunojë me të. Kështu që edhe në rastin e sotëm, kërkesën për unitet duhet ta bëjë ai që është në pushtet”, ka thënë Surroi.

Surroi ka folur edhe për çështjen e korrigjimit të kufijve, duke thënë se Serbia gjithmonë e ka dëshiruar këtë gjë.

Ai ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë marrëdhënie si Franca e Gjermania pas luftës që kanë pasur.

“Kosova duhet të mendoj se si të krijojë bashkëpunim me shtetet fqinje, pasi as Shqipëria e as Serbia nuk janë fqinjë të rëndomtë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Surroi ka thënë se Kushtetuta e thotë prerazi se Kosova nuk mund të bëjë ndryshime territoriale.

“Kushtetuta e Kosovës e thotë në mënyrë eksplicite se Kosova as nuk mund t’i marrë tokë dikujt e as t’i dhurojë”.

Duke folur për Asociacionin e Komunave Serbe, ai ka thënë se hapja e një OJQ kushton pesë euro, dhe sipas tij nuk ka nevojë për biseda në Bruksel.

“NGO nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, sepse kompetenca të tilla kanë vetëm pushtetet”.

“Ideja për korrigjim të kufijve nuk është hera e parë që vjen nga Serbia. Ajo ka përkrahjen edhe nga Rusia, ka 30 vite që dëgjojmë këto ide”.

“Thaçi është folës i një skripte që nuk është shkruar në Prishtinë, por në Beograd”, deklaroi ndër të tjera Surroi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme