Google ADS

Talebanët shënjestruan gjeneralin e NATO-s, tri viktima dhe 12 të lënduar

19:52 | 18 Tetor 2018
Arbresh.info
Një shef afgan policie, i konsideruar me shumë pushtet, rezulton mes 3 personave të vrarë pas të shtënave të së enjtes, që talebanët njoftuan se kishin për objektiv komandantin më të lartë amerikan në vend, gjeneralin Scott Miller.

Miller, gjithsesi ia hodhi paq dhe u largua i palënduar nga sulmi i marrë përsipër nga talebanët, që la edhe 12 persona të tjerë të plagosur, mes të cilëve tre amerikanë dhe një guvernator provincial. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë afganë dhe nga ata të NATO-s.

Forcat e sigurisë “pushtuan” qytetin jugor të Kandaharit pas të shtënave, që tmerruan qytetarët dhe detyruan mbylljen e shumë dyqaneve në zonë, edhe pse banorët lokalë ishin prej kohësh në gjendje gatishmërie të lartë për sulme të mundshme.

Në një njoftim në “Twitter”, talebanët njoftuan se Miller dhe shefi i policisë së provincës së Kandaharit, gjenerali Abdul Raziq, i cili mbeti i vrarë, ishin objektivat e vërtetë të sulmit.

“Gjenerali Raziq dhe shefi i agjencisë provinciale të kundërzbulimit (NDS) u vranë, ndërsa guvernatori është në gjendje kritike për jetën”, tha një zyrtar i lartë qeveritar për “AFP”-në, në kushtet e anonimatit.

Mes të vdekurve rezulton edhe një gazetar afgan, i cili punonte për medien shtetërore. Mes të plagosurve janë 6 truproja të Raziq dhe dy oficerë të shërbimeve të kundërzbulimit. Sulmi thuhet të jetë ndërmarrë nga një prej pjesëtarëve të personelit të sigurisë së guvernatorit, i cili gjithsesi u vra. /Top Channel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme