Google ADS

Deputetët kundërshtojnë futjen e Vidovdanit në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë

20:52 | 17 Tetor 2018
Arbresh.info

Lista Serbe ka kërkuar që festa e Vidovdanit të hyjë si festë zyrtare në kalendarin e festave në Kosovë. Por kjo kërkesë ka ngjallur reagime në Komisionin për Administratë publike. Më i ashpër në refuzimin e kësaj ideje ka qenë Milaim Zeka, i cili ka thënë se serbët vazhdimisht kanë tendencë të provokojnë qytetarët e Kosovës, raporton T7.
Lista Serbe ka kërkuar që në Ligjin për festat zyrtare të futet edhe data 28 qershori, që njihet si Vidovdani.

E gjithashtu, përveç 28 qershorit, serbet kanë kërkuar që të kenë festë memoriale edhe ditën e shtetësisë së Serbisë, 15 shkurtin.

Mirëpo, këtë e kanë kundërshtuar anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje lokale dhe Media, ani pse komisioni e ka përcjellë këtë projektligj në Kuvend.

Anëtarja e komisionit nga Lista Serbe, Jasmina Zhivkoviq, ka thënë se propozimi i tyre për ditën e 28 qershorit, nuk është asnjë provokim.

Ndërsa, anëtari i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se festat serbët t’i festojnë në shtëpitë e tyre, pasi që këta dhe Vetëvendosje nuk i pranojnë flamurin as himnin e Kosovës.

Gjithashtu edhe deputetët e tjerë e kanë kundërshtuar që në ligjin për festa zyrtare të futet 28 qershori, ku një ndër ta ka qenë edhe deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, i cili ka thënë se nuk e voton as në komision e as në Kuvend.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme