Kastrati: Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike penguan formimin e ushtrisë së Kosovës

22:46 | 16 Tetor 2018
Arbresh.info

Ish-komandanti i FSK-së, tash anëtar i Kryesisë së PDK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se të gjithë e dinë që shqiptarët nuk kanë pasur konsensus për ushtrinë nga viti 2014.

Kastrati, ka thënë se në vitin 2014 përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ishin të gatshëm për të pranuar formimin e ushtrisë së Kosovës me ndryshime kushtetuese.

“Dihet botërisht në atë kohë ne kemi mundur ta kemi ushtrinë përmes ndryshimeve kushtetuese, dhe serbët ishin të gatshëm të votonin këto ndryshime, por përfaqësuesit e dy subjekteve politike ishin kundër këtij transformimi apo siç thanë përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes kundër dhënies së një favori serbëve”, tha Kastrati në RTV Dukagjini.

Sipas zyrtarit të PDK-së, këtyre dy partive u ka munguar largpamësia në atë kohë, dhe tani e kemi një shans të humbur.

“Ato parti nuk kanë qenë vizionare dhe largpamëse, pasi që po të kishin qenë më vizionare dhe t’i kishin paraparë këto probleme që ne sot po ballafaqohemi katër vite pas, ne do të kishim pasur ushtrinë”, tha ai.

Kastrati megjithatë u shpreh i lumtur që sot klasa politike shqiptare është unike sa i përket formimit të ushtrisë.

“Sot jam i lumtur që të gjitha subjektet politike shqiptare janë unike në qëndrimin për votimin e ushtrisë”, deklaroi Kastrati.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme