Lista Serbe: Do të bëjmë çmos për ta ndaluar transformimin e FSK-së në Ushtri

08:21 | 16 Tetor 2018
V. S.

Lista Serbe edhe më tutje po vazhdon ta kundërshtoj transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur mbledhje në të cilën para deputetëve paraqiti propozimet e Qeverisë për transformimin e FSK-së në Forca të Armoatosura.

Pas kësaj mbledhje, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se, ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit pavarësisht buxhetit, raporton lajmi.net.

“Ushtria do të bëhet këtë vit. Ne do të forcojmë buxhetin e Kosovës për të investuar në Forcat e Armatosura, pavarësisht se a votohet ai apo jo”, ka thënë Veseli.

Mirëpo, pavarësisht insistimit të institucioneve kosovare për formimin e ushtrisë së Kosovës, Lista Serbe edhe më tutje po vazhdon ta kundërshtojë formimin e saj.

Slavko Simiq ka thënë për Radio Televizionin Serb, se Lista Serbe do ta kundërshtojë këtë pasi që sipas tij, formimi i ushtrisë së Kosovës do të ndikojë edhe në dialogun Kosovë-Serbi,  transmeton lajmi.net.

Sipas Simiqit formimi i ushtrisë mund ta dëmtoj edhe paqen dhe stabilitetin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Ligje të tilla nuk janë në interes të popullit serb që jetojnë në Kosovë dhe Metohi dhe me siguri do të shkaktojë dëme të pallogaritshme në procesin e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës.  Kjo është edhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së, e cila është ende në fuqi. Formimi i ushtrisë do të dëmtoj edhe paqen dhe stabilitetin e serbëve që jatojnë në Kosovë dhe Metohi”, deklaroi Simiq për “RTS”-në.

Sipas tij, Kosova ka paraqitur “Planin B”, për themelimin e ushtrisë, atë përmes projektligjit dhe jo përmes ndryshimeve kushtetuese.

E në lidhje më këtë, Simiq tha se, Lista Serbe me mbështetjen e Beogradit do të përpiqet të sfidojë politikisht hyrjen në fuqi të këtij ligji, transmeton lajmi.net.

Kujtojmë se kundër formimit të ushtrisë së Kosovës është shprehur i gjithë spektri politik serb, madje gjatë ditës së sotme presidenti serb Aleksandar Vuçiq, deklaroi se formimi i ushtrisë së Kosovë do të shkaktojë frikë dhe ankth në rajon.

Përveç deputetëve serbë të cilët në vazhdimësi po e kundërshtojnë formimin e ushtrisë së Kosovës, deputetët shqiptarë dhe të minoriteteve tjera në Kuvendin e Kosovës janë pro transformimit të FSK-së, pavarësisht faktit se tash e sa javë është bllokuar për shkak të mungesës së kuorumit nëpër seanca.

Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Kosovës janë shprehur për themelimin e ushtrisë së Kosovës përmes një projektligji dhe jo përmes ndryshimeve kushtetuese. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme