Google ADS

Blerja e Telekom, ministri serb: Jemi të habitur nga Rama

19:16 | 15 Tetor 2018
Trina Galanxhi

Telekomi serb ka ende shpresa se do të gjejë ende treg në Shqipëri. Oferta e tyre nuk ka marrë përgjigje zyrtare pavarësisht kundërshtive dhe deklarimit të vet Kryeministrit, Edi Rama.

Rasim Lajiç, ministër i Telekomunikacionit në Serbi, thotë se blerja e Telekomit shqiptar nuk është asnjë lloj kërcënimi apo brenge për sigurinë e askujt.

“Ende nuk e dimë epilogun përveç deklaratës së Ramës që është për t’u habitur pasi në këtë epokë të tregtisë së lirë prej kohësh nuk kam dëgjuar që nga një pozitë e tillë, në këtë mënyrë, të eleminohet një blerës potencial. Nuk mund të shkohet me argumente politike kundër, por në bazë të ofertës dhe besoj se vetëm në këtë mënyrë mund të refuzohet”.

Interesi është për treg të përbashkët, thotë ministri serb, sipas të cilit kjo nuk tregohet me mbrojtje apo refuzime.

“Ne apelojmë që faktorët ekonomikë dhe oferta konkrete të vendos për këtë dhe jo faktorët politik. Kjo çështje është e komplikuar pasi telekomi shqiptar nuk është pronë e qeverisë por e Deutche Telekom që e shet këtë kompani. Nuk shoh arsye që kjo të ndalohet, përveç arsyeve politike, por kjo nuk është mirë për rajonin pasi edhe BE insiston në një treg të përbashkët në kuadër të procesit të Berlinit”.

Kompanitë serbe janë të interesuar për të ndërtuar hotele në bregdetin shqiptar dhe biznese të tjera që mund të rrisin shkëmbimin tregtar. Vlerëson se bashkëpunimi është i rëndësishëm për rritjen ekonomike në tregje të vogla.

Telekomi serb ka bërë ofertën e saj dhe ende pret përgjigje. Ministri thotë se partneriteti dhe jo armiqësia është mundësia e vetme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme