Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë ku ka nisur debati për ndryshimet kushtetuese është shprehur i gatshëm të falë të gjithë të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, me qëllim sigurimin e dy të tretave në Kuvend për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin.
Në mesin e të akuzuarve për ngjarjet e dhunshme në institucionin ligjvënës janë edhe gjashtë deputet të VMRO DPMNE-së, mbështetjen e të cilëve synon shumica parlamentare.
“Të gjithë atë ditë ishim në shënjestër të personave të manipuluar të cilët u vërsulën dhunshëm ndaj deputetëve… tani është rasti i duhur që duke qëndruar të gjithë përkrah Maqedonisë dhe të ardhmes së saj, për fëmijët tanë dhe gjithë fëmijët që vinë pas neve, të falim dhe të pajtohemi. Nuk ka mundësi më të mirë kur tani i duhemi njëri tjetrit, kur i duhemi shtetit dhe popullit tonë. Ana e djathtë e sallës (opozita) t’i shtrijë dorën anën së majtë (shumicës) kolegët e anës së majtë t’i shtrinë dorën atyre të anës së djathtë”.
“Tani është momenti i shkëlqyeshëm që të falim dhe të pajtohemi. Nga këtu dërgoj mesazhin për falje dhe pajtimet për ngjarjet që ndodhën më 27 prill. Unë e di se kjo ka çmim, por jam i gatshëm që ta paguaj çmimin, është politik. Politikanët shkojnë dhe vinë, por shteti dhe populli mbeten përgjithmonë” ka deklaruar Zaev duke ftuar deputetët që të miratojnë ndryshimet kushtetuese
“Shikoni drejt të ardhmes së gjeneratave të reja, drejtë te ardhmes së fëmijëve dhe nipërve tuaj. Ju keni të drejtën të zgjidhni edhe të kundërtën por ajo zgjidhje na çon në izolim dhe pasiguri. A është kjo e ardhmja që dëshironi për veten dhe gjeneratat e reja? Tani duhet të vendosni a do të fitojmë apo do të humbim shumë… Çdo deputet sot e ka në dorë çelësin e të ardhmes. I ftoj ata që akoma kanë mëdyshje që të mendojnë për të ardhmen e tij dhe të gjeneratave të tanishme dhe atyre që vijnë…Le të mbahet mend kjo ditë kur i kemi lënë anash ndarjet politike dhe kemi zgjedhur interesin e përbashkët”.
“Kjo është dita kur deputetët e zgjedhur kanë të drejtë të marrin vendimin e shenjtë dhe ta zbatojnë vullnetin e qytetarëve. Nëse ndonjëra nga partitë nuk është e gatshme që kështu të veprojë, unë ftoj çdonjërin nga deputetët që të veprojë individualisht, në interes të shtetit:, ka theksuar Zaev.
Por, nga opozita e cila është e pranishme në sallë ka thënë se ndryshimet janë të papranueshme pasi me to jo vetëm që ndryshohet emri por se “zhduket identiteti, gjuha, kultura dhe gjithçka që ka të bëjë me qenien maqedonase”.
Futja e emrit të ri, Maqedonia Veriore në të paktën 51 nene të Kushtetutës, përfshirë edhe preambulën është diçka që edhe pesimisti më i madh në Maqedoni nuk do ta shihte në ëndrrën e tijmë të keqe”, ka deklaruar Ilija Dimovski, deputet i VMRO DPMNE-së duke kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës pika për qasje në ndryshimet kushtetuese
I pyetur se cila është alternativa e opozitës në rast të dështimit të ndryshimeve kushtetutës dhe me këtë edhe të marrëveshjes me Greqinë, Dimovski tha se Maqedonia duhet të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje me BE-në për partneritet strategjik, që të ketë të ketë të gjitha të drejtat në kuadër të Unionit, përveç të drejtën e votës deri sa nuk zgjidhet kontesti me Greqinë.
“Miqësia me Greqinë është e domosdoshme, por së pari duhet të arrijmë miqësinë brenda Maqedonisë. Kemi nevojë për mirëkuptim me Greqinë, por këtë së pari duhet ta arrijmë brenda Maqedonisë. Prandaj nuk kemi mundësi tjetër përveç se ky Kuvend t’i merr të drejtën qeverisë që të bisedojë për këtë çështje të rëndësishme dhe ndërkohë të arrijmë konsensus për hapat e mëtejmë”, ka deklaruar Dimovski.
Në rast të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese me cilat parashihet ndryshimi i preambulës dhe heqja e emrit Maqedoni dhe e mbiemrit maqedonas nga të gjitha nenet e kushtetutës, atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë të pashmangshme.
Zgjedhjet si mundësi janë paralajmëruar edhe nga kryeministri Zaev dhe madje si datë për mbajtjen e tyre ka përmendur 25 nëntorin, por mbajtja e tyre mund të shtyhet edhe për në dhjetor pasi varet nga procedurat parlamentare për ndryshimet kushtetuese.
Ndryshimet kushtetuese ndërkohë mbështeten nga komuniteti ndërkombëtare, i cili kishte mbështetur edhe referendumin si mundësi të vetme për integrimin euroatlantike.
Edhe Greqia ka bërë të ditur se pa zbatimin e marrëveshjen, ajo nuk do të heq veton për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian./REL/
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...
“Luks apo nevojë?” – Presidentja Osmani e hap ku...
FSK realizon trajnim për sistemin e armëve me ushtrinë turke
Konjufca pret në takim homologun nga Maqedonia e Veriut
Incizoi postbllokun e policisë afër Urës së Bistricës, arres...
Xuxi i thotë Xhenetës se nuk e ka ditur planin e Anisës për ...