Google ADS

Na sillni një ekzorcist, urgjentisht!

10:39 | 15 Tetor 2018
Arbresh.info

“Djemtë i kam parë të motivuar në stërvitje dhe jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje të madhe”… Vetëm 8 minuta loja dhe një rivënie e portierit kthehet në asist për Hemed, që na ndëshkon.

Por, si na ndëshkon? Gabim elementar, ndoshta që edhe në kategoritë e ulëta nuk do të shihnim kurrë! Mbrojtja që përgjumet dhe sulmuesi që përfiton me një autostradë përpara.

Mjafton kaq për të shpjeguar një fakt: kjo Shqipëri është e frikësuar! Aq e frikësuar saqë trajneri jo vetëm që nuk i ka dhënë bindjet që priste ose ka parë zjarrin që kërkonte, por e ka kthyer mbrapa ndër vite. E ndërsa merret me gjyqin personal ndaj ish-presidentit Nishani, duhet të nisë të bëjë një gjyq për veten e tij: si ka mundësi që në 180 minuta nuk dimë të shënojmë qoftë edhe një gol? E kanë fajin lojtarët? Ok, mundet. Na mungojnë Sadiku, Cikalleshi e Roshi, që janë edhe shtylla kurrizore, por Izraeli nuk është se noton në bollëk lojtarësh cilësorë.

Dominim me shifra, me statistika dhe lojë. Por, diferencën e bëjnë golat që shënon dhe jo shifrat. Nëse do të ishte me shifra, atëherë e gjithë historia e botës do të riniste të tregohej nga e para.

Ndaj Jordanisë ishin eksperimente dhe besuam se mund të ishte kështu. Kishin ruajtur forcat për në Ber Sheva. Forca që pamë, deri diku, por ku është cinizmi? Ku është finalizimi? Ku është bindja se jemi skuadër më e mirë se Izraeli? Dhe, ta themi hapur: jemi më të mirë se Izraeli.

Disa lojtarë meritojnë notën 10 për aplikimin në fushë, si Xhaka, apo Uzuni dhe Sabien Lilaj, ndërsa të tjerët kanë dhënë shumë pak, për  të mos thënë aspak. Elseid Hysaj nuk mund të jetë ai që shohim te Napoli. Ai që ka klauzolë 50 mln euro, më shumë se gjithë skuadra e Izraelit në vlerë monetare sipas kartonëve.

Christian Panucci duket i dorëzuar, edhe pse mundohet të përtypë në gjuhën e kombinimeve dhe shpresës se e kemi dhe një shans. Eliminatoret e Botërorit ishin një stage për të. Një autoshkollë, por makina kuqezi jo vetëm që nuk po bën përpara, por i ka futur një indietro të rrezikshme.

Deri kur?! Të presim dhe të shohim. Ndërkohë, na sillni një ekzorcist. Këta djem kanë frikë, nga kush apo çfarë, duhet ta zbulojë lideri i tyre, trajneri, që deri tani, bindjet dhe zjarrin i ka shfaqur me gazetarët nëpër konferenca, por në stol duket si ai i verbëri të cilit jo vetëm i mungon bastuni, por edhe guximi.

Sepse, nëse kur je duke humbur ndërron një sulmues për një tjetër, atëherë do të thotë se ti nuk beson te lojtarët e tu. Dhe, nëse nuk beson ti, udhëheqësi, anija do të përplaset gjithmonë me shkëmbinj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme