Lorik Cana: Ja ndryshimet mes De Biasit dhe Panuccit

07:42 | 15 Tetor 2018
Arbresh.info

Në një prononcim për “RTSH” para ndeshjes me Izraelin, ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, flet për situatën e ekipit këto ditë, ndërsa bën edhe një krahasim mes Panuccit dhe De Biasit.

Para ndeshjes nuk është se ke një mundësi të madhe të kalosh me ta. Gjatë fluturimit folëm pak. Sot janë të mbyllur secili duke përgatitur lojën. Ne vizituam pak Izraelin. Janë kushte fantastike, udhëtimi, fusha. Është një mundësi e mirë për të treguar ambiciet për vendin e parë.

Nuk është ajo atmosferë kur ishte De Biasi…

Janë shumë faktorë, pas një suksesi të madh, ka një periudhë kur skuadra duhet të rimblidhet. Shumica e ekipit që ka qenë në Europian, është pjekur dhe mund të japë akoma. Të rinjve i duhet ende kohë. Në këtë format si Liga e Kombeve, koha nuk të lejon të presësh, por i duhet lënë pak mundësi djemve të rinj. Pritshmëritë janë rritur, por tani ka edhe një presion më të madh.

Keni një mendim për De Biasin dhe Panuccin?

Me trajnerin nuk kam pasur shumë mundësi për të komunikuar. Janë dy trajnerë me një moshë ndryshe. Vijnë nga një shkollë italiane, por kanë mënyrën e tyre për të luajtur. Panucci do të dëshmojë aftësitë e tij. Xhani ka qenë me një eksperiencë të madhe. Disa herë Panuccit nuk i dalin ato ide, prej dëmtimeve apo faktorëve të tjerë, por nëse e ka një linjë në kokën e tij, duhet t’i qëndrojë deri në fund. I dedikohet shumë punës, por edhe presioni i kohës është i madh.

Kosova po ecën më mirë, entuziazëm i madh. Kryeson grupin tani…

Po e shihnim ndeshjen në telefon kur po vinim këtu për në stadium. U zhgënjyem pak pasi kishin një mundësi të mirë të shkëputeshin. E kemi ditur që ajo skuadër prodhon shumë, dhe vetëm sa do rritet. Kanë elemente të rinj, dhe vetëm sa rriten. Ata mund të luajnë edhe në Ligën C. Duhen kuptuar, ata nuk kanë luajtur kurrë me njëri-tjetrin. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë do lidhen.

Dëshira për sot?

Izraeli vjen nga një fitore, por ekipi ka shumë përvojë, dhe me pak mençuri, mund ta fitojmë ndeshjen sot. Por, nuk do jetë aspak e lehtë. Nëse nuk humbim, mund të luajmë vendin e parë në shtëpi me Skocinë.

Çështja e kapitenit, Panucci nuk e sheh si një figurë qendrore…

Brenda ekipit ka disa elemente që mund ta mbajnë shiritin, dhe Mërgimi padyshim është një lojtar që mund ta mbajë shiritin. Tani, duhej padyshim që një lojtar të zgjidhej kapiten.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme