Google ADS

Këto janë pagat e reja në sektorin publik të shëndetësisë në Kosovë

09:37 | 14 Tetor 2018
Arbresh.info

Paga më e lartë në sektorin publik të shëndetësisë parashihet të jetë 1195 euro. Kjo pagë u dedikohet mjekëve specialistë, përkatësisht ekspertëve të mjekësisë ligjore apo atyre që kanë pozita të ngjashme në shëndetësi. Ky standard pagash është përcaktuar në Projektligjin për Paga, të cilin qeveria e ka proceduar në Kuvend dhe i njëjti tash pritet t’i kalojë procedurat e shqyrtimit dhe miratimit

Nën pagën më të lartë e cila është llogaritur me koeficientin 5, vijnë pagat me koeficient 4.80, e të cilat u përkasin drejtuesve të lartë në shëndetësi. Aty hyjnë:  drejtori në QKUSK, drejtori i QKUK, drejtori i IKSHP-së, drejtori i QKTGJ-së dhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm. Të gjithë këta parashihet të marrin 1147 euro në mua, shkruan AktivPress.

Pas tyre vijnë: drejtori i klinikave, drejtori i QKMF-së, drejtori i Qendrës së Mjekësisë së Punës, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Sportive, drejtori i  Telemjekësisë dhe drejtori i Qendrës në Shtime. Paga e tyre parashihet të bëhet 1099 euro.

Pak më të ultë pagën do ta kenë udhëheqësit në Qendrën e Ortoprotetikës në QKUK, ata në barnatoren qendrore të QKUK-së dhe në repartet e shërbimet të tjera shëndetësore në QKUK, si dhe udhëheqësi i qendrave regjionale dhe i departamenteve në IKSHP. Me koeficient 4.60, ata parashihet të marrin 1099 euro në muaj.

Fill pas tyre vijnë mjekët specialist të mjekësisë  familjare. Koeficienti i pagës së tyre është përcaktuar të jetë  4.50. Duke marrë parasysh se vlera e një koeficienti është 239 euro, atëherë i bie që paga e tyre të jetë 1075 euro.

Mjeku i përgjithshëm, psikologu klinik dhe farmacisti në institucionet shëndetësore janë përfshirë në një kategori. Koeficienti i pagës së tyre është paraparë të jetë 3.40, që po të shprehet në para i bie 812.6 euro.

Në listë vijnë kryeinfermieret. Paga e tyre është llogaritur 669 euro, shkruan AktivPress. Kryepunëtorët do të marrin 525.8 euro, po aq sa parashihet të marrin edhe infermierët, mamit dhe teknikët mjekësor të shkallës së parë, pasi ata të shkallës së dytë parashihet të marrin 454 euro, kurse ata në shkallën e tretë-  406 euro.

Të fundit në listë janë teknikët farmacistë dhe asistentët e infermierisë. Të parët parashihet të marrin 382.4 euro, ndërsa këta të fundit 346,5 euro.

Pavarësisht këtij standardi të pagave, mjekët nuk janë të kënaqur në sektorin publik.

Ata kanë thënë se nëse Qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave, atëherë do të ketë kolaps në sektorin e shëndetësisë dhe se ata do ta bojkotojnë punën.

Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, para disa ditësh ka deklaruar për media se janë duke punuar në atë drejtim që të gjitha pagat në sektorin e shëndetësisë të ngriten, por gjithashtu të ketë edhe kategorizime.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme