Google ADS

Rrëfimi i një nëne në rehabilitim

20:00 | 11 Tetor 2018
Arbresh.info
Dhuna ndaj grave është një nga fenomenet me të rënda, me cilin përballet sot shoqëria shqiptare.

Ajo eshtë e përhapur kudo, si nga pikëpamja fizike, ashtu dhe nga ajo psikoligjike. Por denoncimet, më së shumti, vijnë nga gratë dhe vajzat që provojnë dhunë fizike në familje. Sipas statistikave zyrtare, vetëm një në dhjetë gra arrijnë ta denoncojnë atë në polici dhe kjo vjen kur ka arritur fundi i durimit, pas një kohe të gjatë të ushtrimit të kësaj dhune mbi to.

Në një dëshmi ekskluzive për Zërin e Amerikës, një nënë e dhunuar, e marrë në mbrojtje nga strukturat e shtetit, thotë se vendosi të denoncojë bashkëshortin, kur ai ushtroi dhunë edhe mbi fëmijën.

Hapi më i vështirë për të, ishte ai drejt komisaritatit të policisë. Me gruan e dhunuar bisedoi gazetarja Mimoza Picari. Për arsye anonimiteti, emri i gruas nuk mund të bëhet i ditur.

Si nisi dhuna ndaj jush?
-Ndodhi pa ndonjë arsye, si shumica e çunave sot, pijnë pije alkolike; edhe bashkëshorti im ka qenë një prej tyre. Dhuna ka qenë e përditshme, pothuaj e padureshme, por duke qene se kemi dhe fëmije, menduam se do ta kalojmë.
Çfarë menduat për herë ta parë kur u dhunuat?
– Dhuna psikologjike ka qenë e përhershme, por dhuna fizike më ka bërë të ndjehem shumë keq, nuk e doja veten, nuk doja më të qëndroja më në atë shtëpi. Urreja veten, e kisha unë fajin për çdo gjë, ose të paktën kështu më bënte të ndjehesha.
Me çfarë lidheshin kërkesat e bashkëshortit tuaj në përgjithësi?
-Nuk kanë patur asnjë arsye konkrete, thjesht mund të acarohej për gjëra shumë të kota.
Ju, ishit në marrëdhënie pune?
-Jo. Kam qenë e papunë.
Po ai?
– Edhe ai ka qenë pjesërisht i papunë.
Me çfarë ushqeheshit gjatë kohës që nuk ishit në punë?
– Me kursime, me borxhe, kur mbaronin kursimet.
Si ishte dita juaj?
-Ka patur raste që ai nuk pinte për ditë të tëra. Kur pinte sërish bërtiste, shante, hidhte gjëra nëpër shtëpi; qëllonte edhe që përfundoja në një cep të dhomës, e rrahur.
Nuk provoi ai të rehabilitohej, t’i kthehej jetës normale? Nuk reflektonte, nuk ju kërkonte falje?
– Asnjëherë. Mendonte se gjithë problemin e kisha unë dhe jo ai.
A kishit përkrahje nga familja juaj, nga familja e bashkëshortit, pasi mbi ju është ushtruar dhunë e vazhdueshme për 5 vjet rresht?
– Jo. Jo sepse për ne është akoma tabu që të ndahesh, të strehohesh nëpër qendra sociale, të kërkosh ndihmë nga shteti. Të përfundosh në polici është ende turp, edhe pse askush nuk mendon për gjendjen tonë shpirtërore dhe fizike.
Keni kërkuar ndihmë diku?
– Për dhunën jo, sepse pata frikë. Kam qenë e kërcënuar gjatë gjithë kohës.
E mbani mend ditën që vendosët të denonconi dhunën?
– Ka qenë momenti që ushtroi dhunë dhe mbi fëmijën. Aty nuk durova dot. Mund të duroja dhunën ndaj meje, por mbi fëmijën nuk munda. Kur e pashë veten pranë rajonin të policisë, thashë o do kthehem tek ai, ose do eci përpara, dë vazhdoj jetën, sepse nuk mundem më. Thjesht, hodha hapat para dhe u futa në rajon.
Si ju trajtuan në polici? E pranuan denocimin tuaj?
– Po. Edhe zotërinë e morën direkt në polici. Mua më siguruan që ai nuk do mund të më prekte më dhe se do isha e sigurt. Më sollën në një qendër sociale, ku mbrohen gratë e dhunuara. Dhe që prej asaj kohe jam strehuar përkohësisht tek kjo qendër. Më kanë thënë se është shprehur se ka ndryshuar, ka reflektuar, kërkon të kthehet, por nuk mundem më. Jo vetëm prej vetes, por fëmija nuk e meriton të përjetojë të njëjtat gjëra.
A mund të kujtoni sot një moment të dhunshëm ndaj jush?
– Mbaj mend detajin më të tmerrshëm. Ai mbante një thikë në dorë. Ai do më vriste mua, ose do vrisja unë veten. Ka qenë ndër gjërat më të tmerrshme.
Si e shikoni veten pas këtij momenti, rehabilitimin tuaj në të ardhmen?
– Për shumë gra qëndrimi në nje qendër sociale është ndihmë, sepse merr veten. Ke mundësi të punosh, t’i kthehesh jetës, të marrësh një shtëpi, të vazhdosh jetën.
Sot, a mendoni se e keni kaluar pjesën më të vështirë, pjesën më të errët të jetës tuaj?
– Për pjesën e dhunës e ndjej veten heroinë, përderisa arrita të kaloj derën e komisariatit të policisë. Për mua kjo ka qenë më e vështira, të dilja nga dera e shtëpisë dhe të shkoja në polici. Përdersa arrita të bej këtë, nuk kam më frikë.
Një mesazh, për të gjitha gratë e dhunuara.
– Të jenë të forta dhe kanë për t’ja dalë. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi to. T’ja dalin për fëmijët e tyre, për veten…

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme