Bastet, kërkohet shtetëzim

15:02 | 11 Tetor 2018
Arbresh.info

Mazhoranca socialiste mbështeti në Parlament nismën e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e pikave të basteve, ndërsa nuk munguan edhe propozimet më drastike.

Erjon Braçe propozoi që të shtetëzohen: “Shtetëzojini, bëjini monopol shtetëror, që mos të bëni luftë guerrile bodrumeve”.

Për kë rrezikon të mbetet pa punë, ministri i Financave tregoi se po përgatitet një program për rikualifikimin e aftësive të tyre profesionale: “Po përgatisim një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga shërbimet e kësaj industrie. Shërbimi Kombëtar i Punës ka nisur punën për hartimin e një programi specifik për një rikualifikim të detyrueshëm”.

Braçe dhe Ahmetaj ishin edhe protagonistë të një interpelance të kërkuar nga kreu i Komisionit të Ekonomisë mbi financat e Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Në asnjë rast nuk do të mbyll gojën para individëve apo institucioneve që kanë fituar imunitet fiskal”, tha Braçe.

Ministri Ahmetaj pranoi se ka ende informalitet në futboll, por u fokusua te klubet sportive: “Formalizimi në klube është emergjencë. Kanë nisur të reflektojnë paga afër reales, por jemi ende larg”.

Deklaratat e deputetit Braçe u pritën me duartrokitje nga deputetët socialistë, ku ra në sy Bashkim Fino, që nuk fitoi në garën për kreun e FSHF-së./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme