Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, në një kolumnë për gazetën KOHA Ditore ka thënë se politika e jashtme e Turqisë me njeriun në qendër, përkrahjen e saj në Kosovë e ka intensifikuar posaçërisht në shëndetësi, arsim dhe zhvillim, duke theksuar se përmes projekteve që prekin jetën e popullit të Kosovës, vendi i saj edhe më tutje do të vazhdojë të qëndrojë pranë miqve kosovarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kolumnën e saj me titull “Projeksioni kosovar i politikës së jashtme turke me njeriun në qendër: Mbështetja në shëndetësi, arsim dhe zhvillim”, Kılıç e fillon duke treguar një rast disa ditë më parë në Gjakovë, ku një njeri i kishte treguar për shërimin e tij në Turqi pasi i ishte thënë se nuk mund trajtohet në Kosovë.
“Gjatë një vizite në Gjakovë ditë me parë, një Yugo-45 ngjyrë hiri u ndal pranë meje. Nga vetura doli një burrë i moshës së mesme, i cili me sy të njomë tregoi se ishte shëruar në një spital shtetëror të Turqisë, pasi që atij i ishte thënë se nuk mund të trajtohej në Kosovë sëmundja e tij. Ai tregoi se ishte i sëmurë nga veshkat dhe se ishte operuar. Ai më tutje shtoi se falë mundësisë që Turqia iu kish ofruar kosovarëve ishte operuar atje dhe se falë këtij operimi ishte në jetë dhe mund të shëtiste me familjen e tij. Më pas e bëmë një fotografi me të dhe hipi ne veturën e tij të tipit të vjetër për të vazhduar rrugën. Kjo pamje më kujtoi gëzimin dhe shpresën e një nëne të cilës i ishte operuar foshnja nga një mjek turk, mjek ky që kishte ardhur në Kosovë me rastin e ‘Javës së shëndetit’, dhe me këtë rast në Kosovë ishte bërë operacioni i parë i hapur në zemër tek nje fëmi”, shkruan Kılıç.
Në kolumnë, ajo thekson se falë mbështetjes së Turqisë për trajtim shëndetësor, edhe ky njeri i moshës së mesme ngjashëm me foshnjën kishte arritur që të kapej për jetë.
Ajo tregon se gjatë qëndrimit të saj në Kosovë në cilësinë e Ambasadores turke, me raste të ndryshme ka vrojtuar se Turqia bën gjëra të mira për këtë vend mik dhe vëlla.
“Po ashtu e kam ndarë edhe gëzimin mikeve tona kosovare, kur na tregonin që për herë të parë kanë pasur rastin të udhëtojnë për në Turqi me rastin e aftësimit për punë dore, e që pas kthimit në vendlindje, i kishin kontribuar ekonomive të veta familjare, me mjetet e fituara nga punët e dorës që i kishin bërë vetë”, ka vazhduar Kılıç.
Ajo më tej thekson se Turqia vërtet ka një traditë të qëndrueshme për ndihmë humanitare dhe solidarizim, e cila buron nga historia dhe kultura e saj. Sipas saj, institucionet turke që ofrimin e ndihmës për popujt dhe vendet që kanë halle të shkaktuara nga luftërat, varfëria, konfliktet shoqërore ose katastrofat natyrore, e konsiderojnë obligim njerëzor, këto ndihma i konsiderojnë edhe si faktorë të rëndësishëm të stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar.
“Barra dhe përgjegjësia e marrë përsipër në emër të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe që është në rritje e sipër që nga fillimi i viteve të 2000-ta, në implementimin e projekteve të partneritetit për ndihmë zhvillimore, për diplomaci humane, për aktivitete të ndihmave humanitare dhe që ka të bëjë me luftën në Siri, Turqinë e kanë bërë njëri prej faktorëve kryesorë të sistemit global humanitar. Ndihmat humanitare dhe kontributet e kësaj natyre viteve të fundit janë intensifikuar duke u shtrirë në shumë rajone të botës. Për më tepër i është shtuar numri i llojeve duke u shtrirë në fusha të ndryshme, si dhe është bërë një rritje për nga kualiteti dhe kuantiteti, duke përfshirë ndihmat për shëndetësi, arsim dhe zhvillim”, thekson Kılıç.
Duke cituar “Raportin Global për Ndihma Humanitare” të vitit 2018, i përpiluar nga “Global Humanitarian Assistance”, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë ka shkruar se sipas këtij raporti, ndihmat humanitare të Turqisë më 2015 ishin 3.1 miliardë dollarë dhe më 2016 në lartësi prej 6 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2007 kjo shifër u ngrit në 8.07 miliardë dollarë.
“Me ketë shumë Turqia radhitet në rendin e parë në botë për ndihma humanitare dhe përkrahje. Sipas raportit në fjalë, Turqia 0,85 për qind të prodhimit kombëtar i ndanë për ndihma humanitare, për t’u radhitur në rendin e parë në botë, ku cilësohet si ‘vendi më dorëdhënë në botë’. Turqia tanimë është përkushtuar që me gjitha organet e saja shtetërore t’i ofroj përkrahje vendeve që kanë nevojë për ndihmë, përfshirë këtu edhe TIKA-n (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim), Gjysmëhënën e Kuqe, AFAD-in (Autoriteti për Menaxhimin e Katastrofave dhe të Emergjencave) etj”, ka theksuar Kılıç, duke shtuar se politika e jashtme turke me njeriun në qendër, përkrahjen e saj në Kosovë e ka intensifikuar posaçërisht në shëndetësi, arsim dhe zhvillim.
“Ekziston një memorandum bashkëpunimi i nënshkruan më 2009, ndërmjet ministrive të shëndetësisë të të dyja vendeve. Ministria e Shëndetësisë në Turqi, më shumë se 40 vendeve i ofron mundësi trajtimi në Turqi, përfshirë këtu edhe Kosovën. Përmes këtyre dy mekanizmave, që nga viti 2010 për çdo vit mbi 1000 kosovarë trajtohen në Turqi, pa pagesë. Për më tepër, falë raporteve të krijuara ndërmjet institucioneve të ndryshme, edhe një numër tjetër i madh i kosovarëve trajtohen në Turqi. Së këndejmi për çdo vit specialistë turk vijnë në Kosovë për të organizuar “Javën e shëndetësisë”, kur edhe trajtojnë pacientë kosovarë por edhe ndajnë përvojat e tyre me kolegët nga Kosova”, është shprehur Kılıç.
Duke përmendur edhe fushën e arsimit, ambasadorja Kılıç thotë se edhe në këtë fushë ekziston një tablo shpresëdhënëse. Siç ka vazhduar ajo, në kuadër të programeve të dhënies së bursave nga Bursat Turke dhe Këshilli i Arsimit të Lartë, që nga fillimi i viteve të 1990-ta mbi 2.200 kosovarë studimet themelore dhe pasuniversitare në inxhinieri, mjekësi, drejtësi, shkenca shoqërore etj, i kanë vijuar në Turqi.
“Të gjitha këto duhet shikuar si reflektim i dashurisë dhe i besimit ndaj të rinjve kosovarë, që janë garancia e së tashmes dhe të ardhmes së shtetit të ri, pra të Kosovës”, vlerëson Kılıç.
“Krahas atyre që u përmendën më lart, TIKA, që nga viti 2004, kur filloi veprimtarinë e saj në Kosovë, duke synuar që t’i mbuloj të gjitha fushat ku paraqitet nevoja, i ka jetësuar 144 projekte nga fusha e arsimit, 20 në shëndetësi dhe 224 projekte zhvillimore. TIKA i ka ndërtuar 36 institucione arsimore, të niveleve nga parafillorja e deri në institucione të arsimit të lartë, dhe i ka pajisur me pajisje më moderne. Në fushën e shëndetësisë, së fundmi e ka modernizuar Repartin e Mjekësisë Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e cila aktualisht është bërë më e modernizuara në Kosovë”, shton ajo.
Siç shkruan Kılıç, janë jetësuar gjithsej 74 projekte zhvillimore, kryesisht nga fushat e bujqësisë dhe blegtorisë, përfshirë edhe fushat si transporti, magazinimi, komunikimi dhe energjetika, gjë që është një kontribut për zhvillimin ekonomik.
Po ashtu, janë zhvilluar më shumë se 150 projekte të konsolidimit të infrastrukturës për institucione shtetërore dhe organizata të shoqërisë civile, thotë Kılıç, duke shtuar se TIKA i ka restauruar 12 monumente historike, të cilat pas restaurimit janë përfshirë në jetë shoqërore.
“TIKA, me më shumë se 600 projekte bashkëpunimi që arrijnë shumën mbi 100 milionë dollarë, është bërë ndër institucionet që më së shumti kontribuon në zhvillimin e Kosovës në të gjitha sferat e jetës, si për shembull, donacione për pajisje dhe trajnime në qendra të autizmit, zhvillimi i bletëve dhe bletarisë, donacione për prodhimin e çajeve mjekësore dhe aromatike, ndarja e deleve balushe për blegtorët kosovar, renovimi gjithëpërfshirës i një kopshti parashkollor në Drenas etj. Neve na bënë krenar që jemi pranë miqve tanë kosovarë”, potencon Ambasadorja e Turqisë në Kosovë.
Duke theksuar se veprimtaria me njeriun në qendër, që është bërë pika e gravitetit e politikës së jashtme turke, është duke u jetësuar me qëllim të ndihmës për formësimin e dinamikave në drejtim të paqes, mirëqenies dhe stabilitetit në rajone që kanë nevojë për përkrahje në këtë kohë ndryshimeve dhe ekuivokëve, Kılıç kolumnën e saj e përfundon me fjalët:
“Në këtë periudhë kur aspektet politike, ekonomike, sociale dhe njerëzore janë të gërshetuara, Turqia, në politikën e saj të jashtme është përcaktuar për një vizion gjithëpërfshirës, paqësor dhe parimor, dhe në kuadër të këtij vizioni, të gjitha mundësitë e saja i aktivizon për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të vendeve të cilave u jep përkrahje. Politika e jashtme e Turqisë, me karakter ndërmarrës dhe humanitar, do të vazhdoj të veproj në drejtim të këtij qëllimi dhe t’i kontribuoj qëllimeve të përbashkëta të njerëzimit. Përmes projekteve që prekin jetën e popullit të Kosovës, edhe më tutje do të vazhdojmë të qëndrojmë pran miqve tanë kosovar.”
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...