Google ADS

Reagon Ministri i Zhvillimit Ekonomik pas tërheqjes së Bankës Botërore nga financimi i Termo Centralit ‘Kosova e Re’

19:29 | 10 Tetor 2018
V. S.

 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se investitori ‘Contour Global’ është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të TC ‘Kosova e Re’ nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

“Contour Global është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, ka thënë Lluka.

Ky reagim ka ardhur pasi presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Young Kim ka thënë që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit në vlerë 1.3 miliard euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv të “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po zhvillohen në Bali të Indonezisë.

“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Ministri Lluka në reagimin e tij ka shkruar se ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ është projekti më strategjik për vendin dhe zhvillimin ekonomik të tij që nga pas lufta.

“Andaj, ju siguroj që së bashku me investitorin Contour Global, do të punojmë që ky projekt të përfundojë në afat të paraparë”, ka shkruar ministri Lluka në Facebook.

Ai më tej ka shtuar se nuk do të bëjnë kompromise në dëm të sigurisë shtetërore të furnizimit me energji elektrike.

“Si ministër i këtij vendi, përgjegjës për energji, nuk do ta lejoj që Kosova të varet nga importet e energjisë, duke zhvilluar aktivitet ekonomik dhe punësime për vende tjera, përderisa ne kemi potenciale të jashtëzakonshme të gjenerojmë energji jo vetëm për nevoja tona, por edhe për eksport”, ka thënë Lluka.

Ministri Lluka ka theksuar se Kosova duhet të sigurojë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër.

“Ashtu siç nuk kemi alternativa tjera për gjenerim të energjisë elektrike”, ka përfunduar Lluka.

Më herët gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar për qëndrimin kundër të Bankës Botërore ndaj TC ‘Kosova e Re’./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme