Kuvendi nuk po e kryen punën e tij, përderisa partitë nuk po pajtohen mes vete për çështje të rëndësishme për vendin, siç është dialogu Kosovë-Serbi, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Madje partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së kryesisë para pak javësh, tha se janë në përgatitje të një mocioni votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë. Ata bënë ftesë të hapur për të gjitha partitë në vend.
Ftesës së tyre i dhanë përgjigje pozitive partitë opozitare, por që kjo nuk e shtyu LDK-në të fillojë me përgatitjen përfundimtare të mocionit, pasi që nuk i siguruan votat e nevojshme, shkruan lajmi.net.
E për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, partitë e koalicionit qeverisës kanë mendime të ndryshme, por nuk shprehen kundër kësaj mundësie.
Blerta Deliu Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për lajmi.net se PDK nuk e ka diskutuar një çështje të tillë në mbledhjet e fundit të saj.
“Nuk e kemi diskutuar në takimet tona të fundit, mendoj se vendi i ka disa çështje më të rëndësishme që duhet dhënë një kahje, si liberalizimi i vizave, themelimi i ushtrisë, dialogu e shumë projektligje që i kemi obligim. Opozita gjithmonë kërkon zgjedhje të reja”, tha ajo, duke shtuar se PDK tash është e përkushtuar në zgjedhjet e brendshme të saj, ku nesër do të mbahet Konventa për hapjen e procesit zgjedhor.
Deliu- Kodra kërkoi nga partitë opozitare ta përkrahin Draft-Rezolutën për dialogun, të prezantuar nga koalicioni qeverisës, në mënyrë që të bëhet një unifikim rreth temave të mëdha siç është kjo e dialogut me Serbinë.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, i tha lajmi.net se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme për vendin. Ai propozoi takime gjithëpërfshirëse që të zgjidhen çështjet e lëna në gjysmë.
“Parimisht nuk jemi kundër, jemi të përgatitur sa i takon anës teknike si parti. Por edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja përsëri mund të dalë diçka e ngjashme, përsëri mund të vijë një konsensus e fotografi e tillë. Në demokraci nuk ka më një parti ta mbajë primatin d.m.th. shumicën absolute”, tha ai.
Makolli gjithashtu kërkoi nga partitë opozitare të mësohen ta respektojnë mandatin e partive tjera.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, tha se ekziston një mundësi e tillë pasi “Kosovë i thuhet këtij vendi dhe gjithçka është e mundur”.
“Në Kosovë gjithçka është e mundur, edhe mundësia për zgjedhje të parakohshme nuk është risi. Veçanërisht kur presidenti i vendit e sheh se kjo mazhorancë nuk po i konvenon, ku e ka prish edhe fjalorin e komunikimit publik. Ai ka dhënë simptomë se mundet të i luaj lojërat me stilin makiavelist siç i ka luajtur edhe më herët për rrëzimin e Qeverisë”, tha ai.
Vlen të theksohet se vitin e kaluar vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme me mocionin e përgatitur nga Nisma Socialdemokrate të cilin e përkrahën deputetët e PDK-së. /Lajmi.net/
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...