Tetë persona kanë humbur jetën pas sulmit në një marsh zgjedhor në Afganistan

15:35 | 9 Tetor 2018
Arbresh.info
Një sulm i dyshuar vetëvrasës në një marsh zgjedhor në jug të Afganistanit ka lënë të vdekur të paktën tetë persona, kanë thënë zyrtarët, teksa militantët po rrisin sulmet në këtë shtet pak para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme këtë muaj.
Zëdhënësi i provincës Helmand, Umar Shakti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se 11 persona po ashtu janë plagosur në këtë sulm, i cili ka ndodhur në kryeqytetin e kësaj province, Lashkar Gah.

Bomba ka shpërthyer para zyrës së kandidatit presidencial, Saleh Mohammad Khan Achakzai.

Sipas zyrtarëve edhe Achkzai është plagosur në këtë sulm.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ka ndodhur pasi militantët talibanë dhe ata të grupit ekstremist, Shteti Islamik kanë shtuar sulmet në Afganistan, para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 20 tetor.

Në provicën lindore Nangarhar, të paktën 18 persona janë vrarë si pasojë e një sulmi vetëvrasës javën e kaluar.

Grupi militant, Shteti Islamik ka pretenduar se është përgjegjës.

Talibanët në anën tjetër kanë premtuar më 8 tetor se do të bëjnë gjithçka që munden për të bllokuar zgjedhjet, të cilat i kanë cilësuar “komplot amerikan për të arsyetuar pushtimin e huaj”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme