90 vjet më parë, më 1 shtator të vitit 1928, një Asamble Kushtetuese e zgjedhur me votimet që u mbajtën më 16 gusht të atij viti dhe që kryesohej nga Pandeli Evangjeli, vendosi me unanimitet të plotë për ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, duke e kthyer vendin nga Republikë, që ishte deri në atë kohë, në Monarki parlamentare. Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, u shpall Mbret të Shqiptarëve.
Në kuadër të aktiviteteve për këtë ngjarje shumë të rëndësishme të historisë shqiptare edhe dje ka patur një ceremoni të veçantë ku Princi Leka II ka përcjellë mesazhin e tij. Duke risjellë në kujtesë ndryshimet dhe arritjet e mëdha të periudhës së Mbretërisë Princi Leka II thekson se “Të gjithë së bashku duhet të punojmë për një shoqëri të hapur, tolerante dhe solidare. Nuk mund të lejojmë që diferencat sociale dhe ekonomike të cenojnë dinjitetin e barabartë të qytetarëve dhe barazinë e tyre para ligjit. Duhet t’u shtrijmë dorën më të dobëtëve dhe të margjinalizuarve”. MAPO sjell për lexuesit e saj të plotë fjalën e Princ Lekës II.
FJALA E PRINC LEKES
Me Lejoni të filloj këtë fjalim duke kujtuar fjalët e babait tim të ndjerë kur, në mars të vitit 2002, një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë patën guximin dhe vizionin të ftojnë Familjen mbretërore për t’u rikthyer përfundimisht në atdhe. Në një intervistë nga Johanesburgu për “Zërin e Amerikës”, Leka I u shpreh: “Jemi gati të japim kontributin tonë si qytetarë, ose cilado që të jetë nevoja, për të zhvilluar ekonominë, fuqinë shqiptare dhe sidomos për të mirën e të gjithë kombit shqiptar”. “Unë dhe familja ime – vazhdoi ai – jemi në shërbim të atij populli dhe do të vazhdojmë të jemi në shërbim të popullit shqiptar”.
Përpara 90 vitesh, kombi shqiptar i mbledhur në Asamblenë e Dytë Kushtetuese e thirri gjyshin tim për shërbyer në detyrën e lartë si Mbret i shqiptarëve. Është shprehja e mirënjohjes më të veçantë të kombit për shërbimet dhe kontributet e Ahmet Zogut për të mirën dhe begatinë e vendit. Ne do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë privilegj.
Si Familje mbretërore në pushtet midis 1928-ës dhe 1939-ës, si një familje e shquar e Matit më përpara, dhe si Familje Mbretërore në mërgim deri në vitin 2002, familja jonë ka qenë përherë e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe stabilitetit të vendit, si edhe ndaj bashkimit dhe zhvillimit kombëtar.
Me rikthimin tonë në atdhe, roli dhe misioni ynë në shërbim të Kombit ka marrë trajta të reja.
Prandaj është drejt të ardhmes që dua të përqendrohem. Sot, sikurse shprehej Preambuli i Kushtetutës së 1928-ës, çështja themelore është si t’i sigurojmë “brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme”.
E tashmja është e mbushur me shpresë por edhe e mbarsur me kërcënime.
Nga njëra anë, aspirata shekullore për liri dhe dinjitet kombëtar është sot më pranë se kurrë realizimit të saj. Nga ana tjetër, mënyrat e ndryshme të të qenit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve nganjëherë shkaktojnë tendosje të unitetit tonë kombëtar. Mendimtarët dhe intelektualët kanë përpara sfidën e madhe se si të ndërtojmë bashkimin në diversitet të shqiptarëve për shekullin e 21-të.
Bashkim dhe vëllazërim nuk mund të ketë pa një pajtim të vërtetë kombëtar. Plagët e së shkuarës, mjerisht, ende janë të hapura. Riatdhesimi i eshtrave të Mbretit Zog dhe, së shpejti, të patriotit Mid’hat Frashëri janë hapa që shkojnë në drejtimin e duhur. Por janë të pamjaftueshëm. Vuajtjet dhe torturat e parrëfyeshme duhet të gëzojnë respektin e merituar nga autoritet publike dhe nga shoqëria. Integrimi dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve është një proces që duhet mbyllur sa më parë.
Qytetarët janë të zhgënjyer me mënyrën sesi funksionon demokracia jonë. Duket sikur grupimet politike më shumë luftojnë për pushtetin si një qëllim në vetvete, sesa në funksion të vënies në jetë të një vizioni për zhvillimin e vendit dhe përparimin e popullit. Jeta e qytetarëve, punësimi, arsimi, shëndetësia dhe liria e sipërmarrjes duhet të jenë më shumë në debatet e ditës.
Për shumë dekada populli ynë jetoi nën një liri të mohuar. Një shpresë lirie – më shumë anarkike sesa e vërtetë – lëshoi rrënjë në vitet 1990-2000. Ka ardhur koha që populli shqiptar të gëzojë lirinë e rregulluar me ligj – një liri të denjë për një komb europian. Inkurajojmë përfaqësuesit e popullit dhe qeverinë të intensifikojnë përpjekjet për të ndërtuar dhe reformuar institucionet që garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve: një drejtësi të pavarur dhe të paanshme, fjalën e lirë brenda kornizave të ligjit, gëzimin e lirë dhe të qetë të pronës.
Në ekonomi, ne tashmë përballemi me sfidën e shfrytëzimit të qëndrueshëm të kapitalit tonë natyror dhe njerëzor në fushën e turizmit, energjisë dhe bujqësisë. Sfida kyçe është si të prodhojmë punësim dhe perspektivë për të rinjtë tanë këtu në vendin tonë. Na duhen ide të reja sesi të çlirojmë energjinë, gjallërinë dhe ambicien e rinisë tonë dhe të nxisim inovacionin dhe sipërmarrjen.
Së fundi, të gjithë së bashku duhet të punojmë për një shoqëri të hapur, tolerante dhe solidare. Nuk mund të lejojmë që diferencat sociale dhe ekonomike të cenojnë dinjitetin e barabartë të qytetarëve dhe barazinë e tyre para ligjit. Duhet t’i shtrijmë dorën më të dobëtëve dhe të margjinalizuarve.
Në të gjitha këto fronte, publikisht ose jo, Familja mbretërore, Fondacioni Mbretëresha Geraldinë, unë dhe Elia, si dhe bashkëpunëtorët e miqtë tanë vendas dhe të huaj përpiqemi të japim kontributin tonë, këshillën tonë dhe inkurajimet tona.
Përveçse është jubileu 90-vjeçar i shpalljes së Mbretërisë, sot është edhe 123-vjetori i lindjes së Mbretit Zog I.
Është më se e natyrshme të përmenden disa nga arritjet më të rëndësishme të saj, të cilat e bëjnë këtë një nga periudhat më të suksesshme të historisë së kombit shqiptar.
Shqipëria nën udhëheqjen e mbretit të Zog nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep të saj.
Në vitet e Mbretërisë me një kushtetutë tipike të mbretërive konstitucionaliste europiane. Vendi njohu një zhvillim të paprecedent, si: respektimi i madh i lirisë së besimeve fetare, respektimi i pronës, i lëvizjes së lirë, konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën, ndërtimi i mijëra kilometrave rrugë e ura, porte detare dhe aeroporte, qindra shkollave, qendrave shëndetësore, spitaleve në mbarë vendin etj.
U krijua një administratë e efektshme, një gjyqësor i besueshëm, u vendos mbretërimi i ligjit, u luftua fanatizmi, u krijuan kushtet për lirinë e shtypit, u forcua monedha kombëtare në një shkallë që nuk është njohur deri tani.
Me Mbretin Zog ndërlidhet edhe Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, vendosja e Kryegjyshatës botërore bektashiane në Shqipëri, si dhe liria e plotë e besimit që ndikoi në zhvillimin e veprimtarisë së gjithanshme të Bashkësisë Islame dhe të Kishës Katolike.
Nuk mund të mos përmendet dhe mbrojtja e ndihma që iu dha hebrenjve si një vlerë e padiskutueshme e shtetit shqiptar ne periudhën e mbretërisë. Atdheu mbi të gjitha!
Rama uron Trump: Fitore e jashtëzakonshme
Trump thotë se i mbijetoi atentatit për një arsye
Vuçiq uron Trumpin: Serbia është e përkushtuar për bashkëpun...
Nga Kina në Itali dhe Hungari, vijnë reagimet e para për Don...
Osmani uron Trumpin për fitoren: SHBA mbetet partneri i palë...
Policia shqiptoi mbi 2100 gjoba brenda 24 orëve