Google ADS

Gjermania me nivel rekord punësimi për të huajt

01:13 | 9 Tetor 2018
Trina Galanxhi

Gjermania ka mbërritur një nivel rekord punësimi të europiano-lindorëve. Në 50 për qind të vendeve të punës të krijuara në këtë vend punësohen të huaj, e shumica vijnë nga Polonia e Rumania.

Duke iu referuar shifrave nga Agjencia Federale e Punës, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” shkruan se, në korrik të këtij viti, numri i të punësuarve në Gjermani u rrit me 700 mijë vetë krahasuar me një vit më parë. I njëjti burim sqaron se, gjysma e tyre, apo rreth 370 mijë vetë janë të huaj.

Pjesën dërrmuese të këtyre të fundit e përbëjnë të punësuarit nga vendet lindore të BE-së. Sa iu takon shteteve jugore, niveli më i lartë i punësimit rezulton ai i qytetarëve nga Greqia, Italia, Portugalia e Spanja. Ka edhe një rritje të numrit të refugjatëve të punësuar, ndonëse kjo është më modeste.

Ministri Federal i Punës, Hubertus Heil i tha të njëjtës gazetë se, pa lirinë e lëvizjes, e cila u vjen përshtat shumë punëmarrësve në Europë, në profesione të caktuara, tregu gjerman do të haste vështirësi të mëdha.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Horst Seehofer sqaroi nga ana tjetër për “Welt am Sonntag” se ligji i emigracionit do të sqarojë me “kritere të pastra” sesi duhen trajtuar emigrantët, të cilët punojnë prej vitesh me statusin “i duruar” dhe që ndodhen para dëbimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme