Google ADS

Dhjetë ditë nga katastrofa në Indonezi, druhet për mbi 5.000 viktima

19:42 | 8 Tetor 2018
Arbresh.info

Rreth 5.000 njerëz mungojnë në apel, tashmë pa shpresa se mund të jenë gjallë, pas tërmetit dhe cunamit që goditi ishullin indonezian Sulawesi, mbi një javë më parë.

Shifra zyrtare e viktimave është 1.944, por zyrtarët besojnë se kur bilanci nga dy zonat më të goditura të qytetit Palu, Balaroa dhe Petobo, të jetë mbyllur, numri mund të trefishohet. Ata që kërkojnë nën rrënojat e fshatrave druajnë se, mijëra vetë mund të jenë gllabëruar nga masa gjigante dheu, që zunë poshtë mijëra shtëpi.

Shpresat për të gjetur të mbijetuar po shuhen, ndërkohë që kanë kaluar 10 ditë nga katastrofa e dyfishtë, por e enjtja do të jetë edhe skadenca zyrtare për gjetjen e trupave të pajetë. Pas kësaj, ata që momentalisht konsiderohen të zhdukur do të prezumohen të vdekur.

Numri i personave që kanë nevojë urgjente për ndihmë në Sulawesi ka shkuar ndërkohë në 200 mijë. Shumë vende, mes të cilave Britania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, India dhe Japonia kanë dhënë miliona dollarë ndihma, por ushqimi dhe uji mbeten të mangëta dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar thotë se ka trajtuar rreth 1.800 persona në klinikat e tij.

Tërmeti shkatërroi rrugë dhe infrastruktura të tjera, ndaj helikopterët janë detyruar të hedhin ndihma nga ajri në zonat më të largëta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme