Ish-presidenti Behgjet Pacolli poston një shkrim në facebook, kryesisht lidhur me hapjen e një njësie të re shitjeje produktesh për gra dhe fëmijë i rrjetit suedez të njësive të modës“Lindex”. Shkrimi pos tjerash koncentrohet edhe në influencën e Z. Pacollit për të sjell në Kosovë kompani të mëdha botërore, duke e quar para zhvillimin ekonomik të vendit. /arbresh.info/
Në vazhdim është shkrimi i plotë i ish-Presidentin Behgjet Pacolli, në faqen e tij zyrtare në facebook.
Dallëndyshet e vogla të pranverës së zhvillimit në Kosovë
Nga Behgjet Pacolli
Sot në Prishtinë inaugurohet hapja e një njësie të re shitjeje produktesh për gra dhe fëmijë i rrjetit suedez të njësive të modës“Lindex”. Lindex është një nga kompanitë më të mëdha të veshjeve në Europë me 480 njësi shitjeje në 16 vende.
Ky lajm që mund të ngjajë i vogël për snobët dembelë të kafeneve apo politikës në Kosovë, është një lajm i madh në veprimtarinë time të gjatë prej mbi 40 vjetësh në ndërmarrësi. Ardhja e Lindex, një kompani kaq e madhe në fushën e veshjeve është dëshmi e drejtpërdrejtë në botën e biznesit global në përgjithësi dhe biznesit të modës në veçanti se Kosova është një vend normal, ku një kompani suedeze mund të zhvillojë veprimtarinë e vet në forma të ndryshme bashkëpunimi me subjekte kosovare. Simbolika e dallëndyshes është më e rëndësishme se fakti që 20 vetë do punësohen në njësinë e re të Lindex. Dallëndyshet mbase janë të vogla, por ato parathonë ardhjen e pranverës. Lindex ndoshta nuk punëson një numër të madh njerëzish, por prania e tij në Kosovë është simbolike për kompani të tjera në fushën e veshjeve, apo dhe në fusha të tjera se në Kosovë mund të punohet. Kjo ardhje mund të krijojë njëfarë shprese tek ata mijëra shqiptarë që s’mundën të iknin me autobusët e fundit, por që përkundin akoma planin e ikjes nga atdheu.
Ideja e sjelljes së Lindex si kompani suedeze në Kosovë së bashku me fabrikën që punon për gjigandët e automobilave Volvo dhe Volkswagen, tashmë vepruese në Gjakovë lindi veçse një vit më parë gjatë vizitës sime në Suedi dhe të dy këto ide u konkretizuan në Kosovë. Jam shumë krenar që unë, subjektet e mi ekonomikë, që drejtuesit e AKR-së në komuna kanë shërbyer si partnerë në sjelljen e këtyre dy kompanive në Kosovë. Fabrika e Intertex që do të punësojë në Gjakovë qindra persona, lindi gjithashtu si ide gjatë vizitës sime në Suedi, një vit më parë, me nxitjen dhe kontributin e diasporës kosovare në këtë vend, me ndihmën e Visar Jahës dhe Naim Murselit. Gjatë asaj vizite, në kontaktet me miqtë suedezë të biznesit kuptua se konflikti në Ukrahinë kishte krijuar një mundësi e re që të zhvendosej në Kosovë një fabrikë e cila qepte veshje për automobilë për gjigandët e kësaj fushe. Ne shumë shpejt e jetësuam këtë në bashkëpunim me një kompani tjetër amerikane. Në Mitrovicë gjithashtu është në ndërtim e sipër një fabrikë kërpudhash, në bashkëpunim me subjekte hollandeze dhe jugkoreane. Edhe atje do të punësohen qindra vetë.
I bëra këto njoftime për të dëftuar me krenari se diçka kam bërë qoftë si zëvendëskryeministër, qoftë dhe tash që nuk kam asnjë funksion publik. Janë me qindra bizneset, aktivitetet prodhuese ndërkombëtare që më janë drejtuar mua me dëshirën për të investuar në Kosovë. Emri im, adresa ime ishte pika e parë e kontaktit për ta në vizitat në Kosovë. Të informuar mirë për situatën politike, për korrupsionin, për problematikën e dikurshme ndëretnike, ata kanë patur vetëm një kusht: që të kishin partneritet me mua, në të gjitha format. Të kishin mbështetjen time në të gjitha format, mbështetje politike, partneritet biznesor, mbështetje morale.
Me të drejtë, dikush-skeptik natyral, apo i helmuar nga propaganda kundër punës sime për Kosovën, mund të pyesë: kaq pak është mundësia ime për të ndihmuar ekonominë kosovare?
Jam përgjigjur vazhdimisht duke treguar mijëra vendet e punës të krijuara nga bizneset e mia në Kosovë dhe jashtë saj. Me siguri me mijëra vende të tjerë pune do të hapeshin nëse qeveritë e Kosovës, kur unë kam qenë jashtë tyre, apo brenda ekzekutivit do të jepnin autorizimet, licencat, lejet e aktivitetit, apo do të krijonin kushtet që këto aktivitete të zhvilloheshin në Kosovë. E keni dëgjuar besoj lajmin e fundit sesi një ndërmarrje në fushën e thëngjillit që i referohej çlirimtarit të Kosovës, gjeneralit Uesli Klark, dështoi të funksiononte.
Unë pyes: mirë bizneset që i kam sjellë unë, që i kam mbështetur unë, që kanë kërkuar mbështetjen time, partneritetin tim, janë refuzuar, janë zhagitur pse si kartvizitë ka qenë emri im. Po pse është vonuar, pse është pamundësuar aktiviteti i kësaj kompanie që e kishte sjellë këtu miku i madh i Kosovës, gjenerali Klark? A nuk del qartë prej këtej se ka një arsye të përbashkët në këtë refuzim që është korrupsioni, qasja burokratike, dhe mbi të gjitha mungesa e dashurisë për Kosovën e atyre zyrtarëve, funksionarëve, ministrave që kanë penguar këto investime?
Në kohën kur mijëra kosovarë po ktheheshin nga eksodusi i sforcuar në Kosovë pas çlirimit nga trupat serbe, unë fillova aktivitetin tim për të ndihmuar ekonominë këtu. Solla një grup të madh ekspertësh që vlerësuan nevojat e fabrikave që ishin paralizuar, gjeta linjë krediti për to, i ndihmova dhe vetë financiarisht, por u pengova. Krijova FORK-un në Zvicër, Fondacionin për rindërtimin ekonomik të Kosovës, por u sabotova. Krijova Unionin e afaristëve shqiptarë, por nuk më lanë hapësirë. Krijova Fondacionin për zhvillimin ekonomik të Ballkanit, i bindur se bashkëpunimi ekonomik i rajonit ku shqiptarët do përfitonin shumë ishte ilaçi për plagët e konflikteve ndëretnike, por u pashë me skepticizëm. U përfshiva në politikë me idenë se do kapërceja kështu gjithë këto pengesa që m’i kishin krijuar si ndërmarrës, por barriera akoma më të mëdha u ngritën para meje. Sot shqiptarët, bashkëkombasit e mi me mijëra po lënë Kosovën të zhgënjyer, nga “mrekullia e lirisë”, nga qeveria me bazë të gjerë. Bash në këtë kohë, unë me shumë vështirësi po mund të sjell disa investitorë suedezë që kanë garantë pikërisht mua zyrtarisht, mua privatisht, drejtuesit e AKR-së në komuna. Dhe mbani parasysh sesa të kujdesshëm, sa të matur janë suedezët ndërsa vendosin të hapin një biznes për më shumë në një vend si Kosova.
Në këto kushte, unë pyes skeptikët, dhe ata që ushqejnë skeptikët me skemat e tyre banale agjitative, e që vijnë prej mediave, apo politikës:
A është dikush në politikën e Kosovës, që e ka bërë këtë- që ka tentuar të sjellë investitorë për të krijuar punë dhe mirëqenie si unë?
A ka dikush në politikën e Kosovës një bilanc si bilanci im i krijimit të vendeve të punës me angazhim personal?
A është dikush i gatshëm të kërkojë falje për gjithë ato pengesa që më kanë krijuar mua, Uesli Klarkut, apo dhjetra të tjerëve që kanë përfaqsuar kompani të mëdha apo të mesme?
A do të ishte kështu Kosova, nëse këta njerëz duke e dashur atdheun e tyre do të kishin bashkëpunuar me mua dhe me të tjerë si unë për të krijuar kushtet që këto aktivitete ekonomike të vendoseshin në Kosovë dhe të prodhonin mirëqenie, punë dhe zhvillim?
Unë do të vazhdoj punën time në favor të Kosovës derisa të kem frymë, me gjithë pengesat që më ngrihen, muret e lartë të korrupsionit dhe krimit që më ndalojnë idetë dhe projektet e mia të zhvillimit. Por do lutesha që të heshtnin ata që kanë para syve gjithë provat e mëdha të shërbimeve të mia për Kosovën dhe kombin tim. Ato mbeten të mëdha, dhe më të mëdhatë sa kohë që askush në politikën e Kosovës nuk ka bërë gjëra të ngjashme.
https://www.facebook.com/behgjeti/posts/10155309002595153?ref=notif¬if_t=notify_me