Duke sqaruar vizitat e saj të fundit në Austri, Zvicër e Gjermani, Bajrami ka treguar se në Zvicër ka zhvilluar gjashtë takime të ndryshme me anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë, me organizata të tjera dhe përfaqësuesit e bizneseve shqiptare.
“Më parë në Vjenë jemi takuar edhe me Unionin e Bizneseve atje. Ndërsa tani edhe me përfaqësues të bizneseve në Gjermani, në takimin e mbajtur në Dyseldorf. Ne u kemi bërë ftesë bizneseve dhe diasporës në Austri, Zvicër dhe Gjermani që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Ne po u tregojmë atyre se agjenda e kësaj qeverie është agjendë ekonomike. Zhvillimi i sektorit privat është ndër prioritetet tona më të rëndësishme, sepse jemi të bindur se gjenerimi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik mund të vije vetëm nga sektori privat. Kemi nevojë shumë për investime të huaja dhe për ekspertizën e kompanive tona që kanë shënuar rezultate të mira në vendet e tjera”, ka theksuar Bajrami.
Ajo tha se investimi i tyre në Kosovë do të mundësonte prodhimin e produkteve dhe zëvendësimin e konsumit të produkteve nga importi, sepse “ne kemi një bilanc shumë negativ tregtar”.
“Qëllimi ynë është që të mundësojnë prodhimin e produkteve vendore me kualitet të lartë, jo vetëm sa për të plotësuar nevojat tona, por edhe për depërtimin e tyre në tregjet e huaja”, u shpreh ministrja Bajrami.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha më tej se vizitat në tri vendet e BE-së po bëhen me qëllim të skanimit të problemeve kryesore me të cilat po përballen bizneset dhe ata që duan të investojnë në Kosovë.
“Ne po ndërmarrim hapa konkret për zgjidhjen e këtyre problemeve. Jemi disa ministra që po merremi me zgjidhjen e këtyre problemeve dhe po kërkojmë zgjidhje imediate”, theksoi Bajrami.
Duke folur për masat konkrete që janë duke ndërmarrë për eliminimin e problemeve dhe përmirësimin e gjendjes në terren, Bajrami tha se janë duke bërë rishikimin e ligjeve të pakos fiskale.
“Kemi një politikë shumë të favorshme fiskale në krahasim me Gjermaninë, për shembull. Ne ende po ulim taksat për të ulur barrën e bizneseve. Po punojmë në integrimin e administratës tatimore dhe doganave, në mënyrë që të ulet burokracia. Po punohet në sistemimin dhe formatizimin e punëve të inspektorëve, në mënyrë që të mos punohet mbi baza klienteliste. Po krijohen mekanizmat e monitorimit të inspektorëve doganorë dhe të administratës tatimore, në mënyrë që të gjitha punët të kryhen në bazë të ligjit. Po punojnë me prokurimin elektronik, sepse perceptimi për korrupsionin në masë të madhe vjen nga shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit publik”, ka potencuar ministrja, ndërsa ka shtuar se “duam të eliminojmë çdo mundësi korrupsioni”.
Duke ia kujtuar ministres Bajrami se investitorët e huaj thonë se në Kosovë nuk e kanë kapitalin e sigurt, ndaj nuk duan të investojnë dhe se politikanët janë më të korruptuarit, që dëshmojnë edhe disa studime serioze, ministrja tha është e vërtetë që një prej problemeve kryesore për investime është pikërisht percepcioni për korrupsionin dhe vet korrupsioni.
“Nga ana e investitorëve, korrupsioni është një prej vërejtjeve kryesore, ndërsa për ne kjo është një prej sfidave kryesore me të cilat duhet të përballemi. Ne lusim investitorët që të bashkëpunojnë me ne dhe të raportojnë çdo rast të korrupsionit. Neve nuk na leverdis në asnjë formë që të kemi persona të korruptuar, sepse ata përfitojnë për vete, por dëmtojnë imazhin e institucioneve, të qeverisë, të vendit dhe të partisë, dhe nuk janë e mira e askujt. Ne do të veprojmë në të gjitha rastet e denoncimit të korrupsionit. Nuk mjafton që vetëm të thuhet se administrata dhe qeveria janë të korruptuara. Por këto vepra duhet të denoncohen. Në rast se ne nuk veprojmë, të gjitha duhet të bëhen publike dhe ne e bartim përgjegjësinë”, theksoi ajo.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se është e vetëdijshme që të gjitha qeveritë e mëparshme kanë premtuar se do ta luftojnë korrupsionin dhe se do të krijohen kornizat ligjore për sigurinë e kapitalit të investuar, por ajo tha se kjo përbërje e qeverisë e ka të qartë domosdoshmërinë e sektorit privat, sepse, sipas saj, “Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht pa praninë e kapitalit të huaj, pa projekte të mëdha strategjike”.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...