Kosova importuesi më i madh i ujit nga Serbia

10:05 | 28 Shtator 2018
Arbresh.info

Në vitin 2016 dhe 2017 në Kosovë janë importuar gjithsej 53.5 milionë litra ujë me vlerë 11 milionë euro.

Përkatësisht, gjatë vitit 2016 janë importuar 25 milionë litra ujë me vlerë 5.1 milionë euro kurse në vitin 2017 janë importuar 3.5 milionë litra ujë më shumë se në vitin 2016, gjithsej 28.5 milionë litra me vlerë prej 6 milionë euro.

Kosova më së shumti ka importuar ujë nga Serbia gjatë vitit 2016 dhe 2017. Në vitin 2016 prej Serbisë janë importuar 12.3 milionë litra ujë me vlerë prej 1.8 milionë euro.
Në vendin e dytë në listën e vendeve prej nga është importuar më së shumti ujë është Shqipëria. Prej saj janë importuar 8.9 milionë litra ujë gjatë vitit 2016 me vlerë 1.6 milionë euro.

E treta në listë sipas statistikave të Doganës së Kosovës është radhitur Sllovenia. Nga Sllovenia në Kosovë janë importuar 1.6 milionë litra ujë me vlerë 894 mijë euro.
Pas Sllovenisë vjen Kroacia nga e cila Kosova gjatë vitit 2016 ka importuar 1.1 milionë litra ujë me vlerë prej 296.5 mijë euro. Listën prej pesë vendeve prej nga është importuar më së shumti ujë është Italia, shkruan Buletini Ekonomik.

Nga Italia në Kosovë kanë hyrë 401 mijë litra ujë të cilat kanë kushtuar 321 mijë euro.
Edhe gjatë vitit 2017, primatin për importin e ujit e mban Serbia. Nga fqinji verior në Kosovë kanë hyrë gjithsej 12 milionë litra ujë me një vlerë prej 1.8 milionë euro. Për dallim nga vitit 2016, importi i ujit nga Serbia ka rënë për nga sasia me rreth 353 mijë litra më pak ujë.

Në vendin e dytë edhe në vitin 2017 është radhitur përsëri Shqipëria. Prej saj në Kosovë përmes Doganës kanë hyrë 11.7 milionë litra ujë me vlerë 2 milionë euro. Nga pozita e tretë as në vitin 2017 nuk ka lëvizur Sllovenia prej nga janë importuar 1.7 milionë litra ujë që kanë kushtuar 897 mijë euro.

E katërta në listë, si një ndër vendet prej nga importohet më së shumti ujë në Kosovë është prapë Kroacia. Prej saj në Kosovë janë importuar 1.2 milionë litra ujë me vlerë 333 mijë euro.

Pesëshen e importuesve më të mëdhenj të ujit e përmbyllë Greqia, ndryshe nga viti 2016 kur këtë listë e kishte përmbyllë Italia.

Nga Greqia gjatë vitit 2017 janë importuar 698 mijë litra me ujë që kanë kushtuar 112.9 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme