Janjiq: Vuçiq po tenton përgjegjësinë për dialogun ta hedhë diku tjetër

14:49 | 25 Shtator 2018
Arbresh.info

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq ka thënë se deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se “politika e tij ka pësuar disfatë” ndoshta është përgatitje për kalimin e përgjegjësisë së dështimit tek opozita, kryeministrja, Ana Bërnabiq ose te një palë e tretë, transmeton DW.

Janiq i tha agjencisë Beta se ajo deklaratë është një “vlerësim shumë i fuqishëm” që nuk nënkupton dalje nga procesi i dialogut, por që politika e orientuar në mundësitë e brendshme ka pësuar dështim.

“Nuk ka pasur asnjë politikë zyrtare, opinion nuk është njoftuar se çfarë përfaqëson kjo politikë, bisedimet me Prishtinën kanë stagnuar dhe një pjesë e politikës që është udhëhequr përmes serbëve dhe Kishës Ortodokse ka pësuar dështim”, ka thënë Janjiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë të hënën se Serbia qe pesë vjet është munduar ta kthejë çështjen e Kosovës në tryezë të bisedimeve, por që tash për tash kjo politikë ka pësuar disfatë.

“Politika ime që Serbia të ruajë shumë gjëra në Kosovë, qartazi në Serbi nuk ka fituar, sepse serbët duan të humbin gjithçka, më së shumti dëshirojnë të vajtojnë mbi fatin e tyre. Më shumë duan të qajnë për diçka që është e largët, sesa të kenë diçka në duart e tyre” ka thënë Vuçiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme