Google ADS

Haradinaj: Fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës i kontribuon paqes në rajon

15:31 | 24 Shtator 2018
Arbresh.info

Nju Jork, 24 shtator – Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që po mbahet në Nju Jork, kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi një takim me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se në këtë takim është biseduar për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe për veprimet e ndërmarra në funksion të konsolidimit të brendshëm të vendit, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të gjitha mekanizmave të sigurisë dhe për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Po ashtu theksohet se kryeministri Haradinaj e ka njoftuar zëvendës-ndihmës sekretarin Marocco për të arriturat në Kosovë në përmbushjen e reformave, zhvillimin ekonomik, dhe në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Qeveria është duke punuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit. Ne kemi institucione kredibile që mund të kontribuojnë në ruajtjen e paqes në vend dhe rajon”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar gjithashtu se fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit duke u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, do t’i mundësojë Kosovës që të japë kontributin e saj në sigurimin e paqes së qëndrueshme.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, tha se SHBA-të vlerësojnë sukseset që ka shënuar Kosova dhe do të jenë mbështetëse në rrugën e saj euroatlantike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme