Heiko Maas: Evropa dëshiron më tepër koordinim me SHBA

20:06 | 23 Shtator 2018
Arbresh.info

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas tha se Evropa duhet të përgatitet për ndryshimet strukturore në marrëdhëniet transatlantike.

Maas në një deklaratë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve DPA tha se për disa vendime të SHBA-ve njoftohen nga rrjeti social Twitter. Ai shtoi se ka një përshtypje se edhe një pjesë e madhe e opinionit në SHBA vendimet e Shtëpisë së Bardhë i mësojnë nga Twitter-i.

Sipas tij, qeveria gjermane dëshiron që përsëri të ketë më shumë koordinim dhe dialog me SHBA-të.

Ai thekson se shumë persona kanë një mendim të tillë se gjithçka pas presidentit amerikan Donald Trump do të jetë e njëjtë si në të kaluarën. “Në marrëdhëniet transatlantike ka ndryshime strukturore. Këto nuk do të zhduken edhe pas Trumpit. Në Gjermani dhe sidomos në Evropë duhet të jemi gati për këtë”, tha Maas.

Shefi i diplomacisë gjermane kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) të tregojë qëndrim më me vetëbesim ndaj SHBA-ve. “Ne evropianët nuk duhet të qëndrojmë si lepuri përpara gjarprit, duke pritur se çka do të shpërndahet ditën e nesërme nga Twitter-i”, tha ai.

Maas shtoi se partneriteti transatlantik duhet të përshtatet me kushtet e vitit 2018, sidomos sipas tij duhet të përgatitet për të ardhmen.

Pas ardhjes së Trumpit në pozitën e presidentit të SHBA-ve dolën në shesh dallimet në marrëdhëniet Gjermani-SHBA, sidomos në opinionet për politikat e tregtisë, marrëveshjes bërthamore me Iranin, ndryshimet klimatike dhe shpenzimet në mbrojtje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme