Korrigjimi i kufijve, Scott: T’u japim palëve hapësirë që të arrijnë marrëveshje

13:50 | 23 Shtator 2018
V. S.

Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, ka folur edhe njëherë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, qëndrimin e SHBA-ve në këtë proces, si dhe përfshirjen e mundshme në negociata.

Në një intervistë të dhënë për “FoNet”, Scott ka thënë se gjatë tre muajve të fundit është vërejtur një momentuim i mirë në negociata, dhe se nuk duhet të lejohet që një deklaratë e dikujt të shkaktojë “daljen nga rruga kryesore”, e cila dërgon tek qëllimi përfundimtar, transmeton lajmi.net.

Scott po ashtu rikujtoi se bisedimet në nivelin teknik kanë lëvizur në një fazë shumë më komplekse, andaj siç thotë ai, nuk mund të ketë marrëveshje përderisa dialogu është i ndërprerë.

Ai foli edhe për përfshirjen e SHBA-ve në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit ku tha se Amerika nuk është direkt e involvuar në këtë proces.

“Ne nuk jemi të involvuar direkt në negociata, mirëpo gjithësesi ne fokusohemi në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Kosovoës dhe Serbisë. Ka ide për këtë marëveshje, disa edhe mund të jetë të suksesshme e disa jo, por në opinionin tonë është e rëndësishme që t’i jipet hapësirë liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të bisedojnë, të jenë fleksibilë dhe kreativ, në mënyrë që marrëveshja të jetë e pranueshme për qytetarët e të dyja vendeve”, ka thënë më tutje ai.

Scott mori shembull edhe zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë ku tha se e njëjta mund të ndodhë edhe mes Prishtinës dhe Beogradit, ku shtoi se paqja dhe stabiliteti është i rëndësishëm për të dyja palët.

Ambasadori në ikje amerikan foli edhe për deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se SHBA-të kanë ndryshuar qëndrim karshi çështjes së Kosovës.

“Edhe po dhe jo. Jo sepse politika jonë është shumë stabile dhe është e bazuar në ndërtimin e një Ballkani stabil, lërjen pas të së kaluarës, zhvillimit dhe rritjes. Në anën tjetër, ndryshimi mund të jetë se tani Serbia ndihet sikur SHBA-të janë të gatshme të ndëgjojnë edhe pikëpamjet e tyre”, shtoi ai.

Scott u pyet edhe për qëndrimin e SHBA-ve pro korrigjimit të kufjive, ku tha se SHBA-të nuk kanë qëndrim të definuar për këtë, dhe se ajo se çfarë ata mendojnë është se palëve duhet t’u jipet hapësirë që të negociojnë.

Në fund, Scott ripërsëriti edhe njeherë se SHBA-të njohin pavarësinë e Kosovës, dhe se kjo e fundit meriton anëtarësimin në OKB./Lajmi.net/

Të ngjashme