Flutura Açka flet për 10 librat që duhen lexuar nga letërsia shqipe

09:10 | 23 Shtator 2018
Arbresh.info

Shkrimtarja e njohur Flutura Açka i është rikthyer letërsisë, përzgjedh për Mapo Letrare veprat dhe autorët shqiptarë të cilët duhet lexuar.

1. Mitrush Kuteli – “E madhe është gjëma e mëkatit”

Një nga prozat shqiptare me intensitet të lartë rrëfimi dhe një tribut për dashurinë gati të shenjtë burrë-grua.

2. Ismail Kadare – “Kronikë në gur”

Një nga veprat më magjike të retrospektivës njerëzore në përgjithësi dhe të botës shqiptare në veçanti, një shkollë leximi dhe shkrimi.

3. Migjeni – Vepra e plotë letrare

Çfarë do të ishte e shkuara e letërsisë shqipe pa Migjenin? Një shtëpi me pa kulm.

4. Vath Koreshi – “Ulku dhe Uilli”

Rrallë ndodh të jesh i bekuar me talent dhe të dish ta përdorësh gjuhën në shkallën e epërme, këtu shqipja këndon.

5. Gjergj Fishta – “Mrizi i Zanave”

Një tufë vargjesh me një pasuri të patëdytë leksikore, që në kohën kur janë shkruar kanë qenë substancë e bërjes së Atdheut, vargje që shqiptarët e sotëm duhet t’i mësojnë përmendësh, po të mendosh forcat zhbërëse që na kërcënojnë.

6. Martin Camaj – “Djella”

Një nga prozat më të bukura të shkruara shqip prej një prozatori-poet, plot dritë dhe me gjuhë ngopëse, edhe prej pranisë së shpeshtë të poezisë në të.

7. Azem Shkreli – “Zogj dhe gurë”

Azem Shkreli është nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, mjeshtër i vargut dhe stilist i rrallë, autor që ka eksperimentuar shumë dhe padyshim është shkollë poezie.

8. Mira Meksi – “ Frosina e Janinës”

Një nga veprat e rralla dhe të shkruara bukur ne zhanrin e romanit erotik, por njëherësh të zhanrit historik, për të cilin kemi shumë pak në historinë e letërsisë shqipe.

9. Luan Starova – “Koha e dhive”

Një nga veprat më të bukura të kolanës së Sagës Ballkanike, plot kolorit dhe me sfondin historik të dramës së njeriut që i duhet ta lërë tokën e tij. Padyshim një nga zërat më të rëndësishëm të letrave shqipe sot.

10. Flutura Açka – “Ku je?”

Një skaner thuajse shterues mbi diktaturën, për krizën e artistit në kushtet e deprimimit dhe izolimit dhe tribut për artin si arkivues i kujtesës historike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme