Rama për marrëveshjen e mundshme Kosovë-Serbi: Moment historik që nuk duhet këputur nga personalizuesit e historisë

22:48 | 20 Shtator 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar marrëveshjen e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë si moment historik i cili nuk duhet këputur.

Në mendjen e Ramës kjo temë peshon rëndë dhe ka një rëndësi të madhe historike, për çka ai konstatoi se “janë të pavetëdijshëm për këtë gjë”.

“Është temë shumë e rëndë, dhe ka një peshë specifike realisht të madhe në historinë tonë. Tema ka një peshë specifike në historinë tonë”, ka thënë ai në emisionin Opinion në TV Klan.

“Po jetojmë një moment historik për të cilin jemi të pavetëdijshëm dhe për fat të keq deri tani të paktën, këtu nuk dua të ndaj askënd as për mirë as për keq. Po sillemi me historinë si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”.

“Këtu fillon problemi. Sepse kemi disa javë apo më shumë që dëgjojë momente për diçka që askush s’di asgjë”, tha Rama duke pohuar që nuk ka asnjë detaj lidhur me këtë marrëveshje.

Sidoqoftë, Rama deklaroi se nuk di detaje për marrëveshjen mes dy vendeve, ndonëse thotë të ketë biseduar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

“Kur them jo them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet prapa dyerve dhe të filloj të bëj komente”.

“Sigurisht që kam biseduar me presidentin, nuk jam në dijeni të asnjë lloj detaji fare”.

Rama mohoi të ketë pasur rol në lehtësimin e komunikimit mes Thaçit dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, ani pse e konsideron të mirë nëse një gjë e tillë ka ndodhur.

“Nëse ka ndodhur më vjen shumë mirë por nuk më rezulton të kem pasur ndonjë rol në komunikimin mes tyre”.

“Duke hyrë në këtë proces, nuk mund të bëj njeriun që rri larg, kam bërë detyrat e mia dhe bëj përditë detyrat e mia”.

Ai po ashtu e lexoi intervistën e presidentit të ndjerë kosovar, Ibrahim Rugova, të dhënë më 1992 për gazetën “Zëri”, ku ishte deklaruar kundër ndarjes së Kosovës, por pro idesë për këmbim territoresh.

I pari i qeverisë shqiptare argumentoi se nuk ka rëndësi a e ka thënë Rugova atë gjë atëherë, apo a do ta thoshte të njëjtën tani po të ishte gjallë, por theksoi se rëndësia qëndron në atë se kush e kishte thënë këtë gjë.

Sipas tij, ky moment peshon në histori dhe nuk duhet personalizuar nga “politika e qenve”.

“Ky është një moment historik që nuk mund të këputet duke u ndarë dhe njëherë dhe duke bërë politikën e qenve që lehin dhe kafshojnë njëri tjetrin duke personalizuar historinë. Historia nuk mund të personalizohet”, tha ai.

Rama tha se ai nuk e ka përgjigjen për këtë, por tha se personalizimi i kësaj gjëje “mund të ketë një kosto të madhe”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme