Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas mbërriti të mërkurën, 19.09.2018, në Tiranë, për një vizitë zyrtare në kuadër të një turi ballkanik, të nisur në fillim të kësaj jave në itinerarin Bukuresht – Shkup- Tiranë – Athinë.
Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme e Gjermanise pohojnë se në krye të axhendës së vizitave në këto 4 vende është ”një Europë e Bashkuar”. Ministri Maas citohet nga Ministria e Jashtme Gjermane të ketë deklaruar para fillimit të këtij turi se “Europa nuk mund të ndahet në rajone gjeografike – për ne ka vetëm një Europë”.
I pyetur nga korrespondentja e DW në Tiranë, Ani Ruci, nëse zgjerimi i BE, perspektiva europiane e Shqipërisë dhe në përgjithësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të jetë tema qendrore e bisedimeve politike, Ministri Maas, tha: “Që vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë merituar një perspektivë reale të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo për mua është e qartë. Është mbresëlënëse se sa entuziastë janë njerëzit e këtij rajoni për vlerat e unionit tonë. Por në fund vendimtare do të jetë, nëse qeveritë kanë arritur të përmbushin kushtet për anëtarësim dhe kjo do të jetë e mundur vetëm nëse reformat për më shumë demokraci, shtet ligjor dhe qeverisje më të mirë do të çohen përpara në mënyrë të vendosur. Gjermania është e gatshme të vazhdojë ta mbështesë më tej Shqipërinë në këtë rrugë”.
Gjermania – mbështetje politike Shqipërisë në tri drejtime kryesore
Shqipëria synon të përmbushë kushtet dhe të meritojë hapjen e negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshshëm. I pyetur nga DW për drejtimet kryesore të mbështetjes së Gjermanisë në realizimin e këtij synimi, Ministri i Jashtëm gjerman, Maas tha: “Fakti që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të çelen duke nisur prej vitit 2019, tregon vlerësim për përpjekjet e bëra deri më tani. Veçanërisht reforma në drejtësi ishte dhe vazhdon të jetë, në vlerësimin tim, një hap domethënës. Ne presim që të vijohet më tej në këtë rrugë dhe të shohim suksese të dukshme, në mënyrë të veçantë përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjermania jep mbështetjen e saj politike në këtë drejtim përmes angazhimit të këshilltarëve të nivelit të lartë si dhe në kuadër projektesh të ndryshme”.
Mbështetja dhe promovimi nga Gjermania i perspektivës europiane të Shqipërisë motivohet edhe nga roli i saj pozitiv në stabilitetin e rajonit . Ministri Maas e ka quajtur Shqipërinë ” një spirancë të stabilitetit në rajon”.
Ministri Maas: Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet multi – etnik
Për Gjermaninë stabiliteti i Ballkanit Perëndimor përbën një interes strategjik të BE. Debati i nxehtë ndërkombëtar, muajin e kaluar, pro & kundër ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, nxorri në dritë ?ështjen e cënimit të stabilitetit në rajon dhe potencilit të shndërrimit të Ballkanit përsëri në “fu?i baruti të Europës”. Vetë Ministri Maas është shprehur skeptik lidhur me ndryshimin e kufinjve, si opsion për normalizimin e marrdhënieve Kosovë – Serbi.
I pyetur nga DW për arsyet kryesore të skepticizmit të tij ndaj këtij opsioni, të lënë të hapur nga Vuçiç, Ministri i Jashtëm Maas tha: “Gjermania e ka njohur Kosovën mbi bazën e Planit të Ahtisarit si shtet multietnik. Pjesë e perspektivës evropiane është edhe fakti i bashkëjetesës në paqe dhe me të drejta të barabarta mes njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe kulturore. Përpjekja për të shtyrë kufijtë, pikërisht për të eliminuar këtë larmi ka qenë, në të shkuarën, shkak vuajtjesh të pafundme. Ndaj ide të tilla i konsideroj jo vetëm si pak rezultative, por ato rrezikojnë të rihapin shumë plagë të vjetra në rajon”.
Mbështetja e Gjermanisë – e pazëvendësueshme për Shqipërinë
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në prag të vizitës së homologut të tij gjerman Heiko Maas në Tiranë, e konsideron “të pazëvendësueshme” mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë. Kjo mbeshtetje eshte e tille pasi mbështetja politike e Gjermanisë në afrimin e Shqipërisë me BE është shoqëruar me një mbështetje të fuqishme financiare. Gjermania është donatorja më e madhe financiare e Shqipërisë me rreth një miliard dollarë, që në nivel botëror përbën ndihmën më të madhe financiare gjermane për frymë të popullsisë. Bashkëpunimi ekonomik për zhvillim, Gjermani-Shqipëri, që sivjet shënon 31 vjetorin e tij, është cilësuar “i shkëlqyer” nga ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.
Ministri i jashtëm gjerman Maas do të zhvillojë sot bisedime me homologun e tij Bushati, kryeministrin Rama, liderin e opozitës Basha dhe përfaqësues të Komisionit të Vettingut./DW
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe
Shifrat e INSTAT: Mbi 761 mijë turistë të huaj në tetor