Maduro në restorant klasi, shpërthen zemërimi në Venezuelë

01:02 | 19 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Një video e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, që drekon në një restorant klasi në Turqi, ka shkaktuar jo pak zemërim në Venezuelën e gjunjëzuar nga kriza.

Në imazhe shihet një shef i famshëm turk, Nusret Gokce, i njohur edhe si “salt bae”, që pret mishin para Presidentit dhe bashkëshortes së tij Cilia Flores, në restorantin e tij në Stamboll.

Vetë shefi turk postoi video të vizitës së Maduros në Instagram, por më pas i fshiu ato. Sidoqoftë, përdoruesit e medias sociale kanë shpërndarë videon. Presidenti Maduro dëgjohet të thotë: “Ky është një moment i papërsëritshëm”.

Ai shihet të tymosë një puro dhe bashkëshortja e tij mban një bluzë me foton e shefit Gokce. Ky i fundit zotëron restorante luksoze në SHBA, Lindjen e Mesme dhe Turqi. Në restorantet e tij, pak copëza mish kushtojnë disa qindra dollarë.

Në Venezuelë, 64% e banorëve kanë raportuar humbje domethënëse peshe, mesatarisht 11 kg, për shkak të ushqimit që gjithnjë e më shumë mungon. Kequshqimi tek fëmijët është në nivele rekord dhe 2.3 milionë njerëz kanë braktisur vendin nga viti 2014./tch/

https://twitter.com/NachoImery/status/1041807772764065792?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1041807772764065792%7Ctwgr%5E373939313b636f6e74726f6c&ref_url=http%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2018%2F09%2F18%2Fmaduro-ne-restorant-klasi-shperthen-zemerimi-ne-venezuele%2F

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme