Ademi: Referendumi përtej agjendave politike

22:29 | 18 Shtator 2018
Arbresh.info

Referendumin e 30 shtatorit e shohim si një akt të rëndësishëm në historinë më të re të vendit tonë, ndërsa fushatat që po i bëjnë partitë politike i konsiderojmë si agjendë përtej programeve politike dhe ideologjike, dhe sigurisht se anëtarësimi i vendit në familjen e NATO-s dhe në BE na bashkon të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni.

Kështu në një intervistë në RTVM2 ka thënë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili ka ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim etnie dhe partie politike, të mbështesin Referendumin dhe me këtë, ti jepet fund bllokadës së vendit.

Në këtë intervistë, transmeton KOHA, Ademi ka informuar se Bashkimi Demokratik për Integrim tashmë ka formuar 35 shtabe komunale, ndërsa aktivitetet po rrjedhin sipas programit që kjo parti tashmë e ka miratuar.

“Përpos agjendave të takimeve të kreut të partisë, Ali Ahmeti, edhe shtabet tashmë kanë agjendat rreth Referendumit, interesimi i madh i qytetarëve e bën jetike qëllimin e vendit për të ecur përpara. Deri tani nuk kemi vërejtje, por përkundrazi, kemi përshtypje të mira rreth fushatës deri më tani”, është shprehur Ademi. Shqiptarët në Maqedoni, dhe jo vetëm shqiptarët, por të gjitha etnitetet që përbëjnë strukturën shtetërore me kohë e duan Maqedoninë brenda NATO-s, ka thënë gjithashtu Ademi.

“Në veçanti, shqiptarët mezi e kanë pritur këtë formë, që përmes Referendumit, të vendosin për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Kështu që, nuk kemi nevojë për t’i bind shqiptarët dhe kjo fushatë nuk është vetëm e BDI-së apo vetëm e shqiptarëve, por është përtej politikës dhe me këtë, tani është momenti që të dëshmojmë që së bashku, të votojmë dhe të vendosim për të ardhmen e vendit”, ka thënë ministri i Arsimit.

Ademi ka folur edhe për akuzat e fundit të opozitës dhe individë të caktuar se Marrëveshja për emrin cenon identitetin e shqiptarëve.

“Shqiptarët nuk kanë problem me identitetin e tyre dhe askush në asnjë moment nuk e ka cenuar identitetin e shqiptarëve jo vetëm këtu, por pa dallim ata ku jetojnë. Dhe, duke e marrë në konsideratë peshën e Marrëveshjes së Prespës, jemi të bindur se kjo marrëveshje i hap perspektivë të gjithë qytetarëve, duke përfshirë edhe këtu shqiptarët. Kështu që në këtë moment, janë të paqëndrueshme akuzat se cenohet identiteti i shqiptarëve me Marrëveshjen e Prespës”, ka thënë Ademi, duke mohuar zërat e opozitës shqiptare se BDI në Marrëveshjen e Prespës ka qenë dekor, raporton KOHA.

“Shqiptarët nuk ishin dekor dhe nuk kanë qenë edhe më herët dekor. Veçanërisht, pas konfliktit të 2001-shit dhe pas themelimit të BDI-së si parti politike, ne kemi dhënë shembuj të shumtë për përcaktimin tonë strategjik. Pjesë e bërthamës ideologjike, sidomos në BDI, është integrimi në BE dhe në NATO. Këtë e kemi dëshmuar se jemi arsyeja dhe ndërgjegjja edhe brenda shoqërisë dhe brenda Qeverisë në mbrojtje të kësaj strategjie. Sigurojmë se BDI-së nuk ishte dekor as tani, sepse shembull, ministri i Jashtëm kur diskuton një çështje me homologun e tij grek, ai diskuton në emër të Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe BDI-së”, është shprehur Ademi, duke përsëritur se shqiptarët assesi nuk janë të rrezikuar nga Marrëveshja e Prespës.

“Përkundrazi, kjo Marrëveshje dhe i gjithë ky proces është në favorin e shqiptarëve jo vetëm këtu, por gjithandej. Edhe historikisht përcaktimet tona kanë qenë vlerat evropiane, prandaj ne aspak nuk duhet të kemi ndjenjën se po dëmtohemi në këtë proces. Dhe jo vetëm ne, por Maqedonia dhe i gjithë rajoni e ka të qartë se ky proces stabilizon Ballkanin dhe të gjithë së bashku jemi përfitues duke i mbyllur proceset e hapura që kemi”, tha Ademi./koha.mk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme