Flet ministri i FSK-së, i akuzuar për listat e fryra të veteranëve

10:36 | 18 Shtator 2018
Arbresh.info

Në mesin e të akuzuarve për manipulimet me listat e veteranëve është edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha. Ky i fundit po thotë se derisa të ketë diçka zyrtare me shkrim nga Prokuroria, nuk mund të vendos nëse do të përgjigjet në ftesën e kësaj të fundit.

Pothuajse një muaj pas largimit të prokurorit Elez Blakaj nga Kosova, Prokuroria të premten ka ngritur aktakuzë për manipulimet me listat e veteranëve.

Në mesin e të akuzuarve ka edhe deputetë, ministra e zyrtarë të partive politike në vend.

Nën akuzën për keqpërdorim të autoritetit zyrtar do të gjykohen Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demaliaj, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku dhe Smajl Elezaj.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se deri më tani s’ka marrë ndonjë konfirmim nga Prokuroria për aktakuzën.

I pyetur nëse do t’i përgjigjet ftesës, ai ka thënë se fillimisht do ta analizojë gjithë aktakuzën.

“Jo nuk kam marrë asnjë konfirmim zyrtar. Pasi të marrë zyrtarisht ftesën, do të analizojë dhe do të marrë vendim qysh dhe si”, deklaroi Berisha.

Ministri i FSK-së nuk ka dashur t’i komentojë as publikimet e fundit nga mediat, ku evidentohen veteranët të cilët kanë përfituar pensione në mënyrë të kundërligjshme.

Berisha ka thënë se nuk dihet nëse ato lista të publikuara janë zyrtare.

“Unë në parim nuk i komentoj këto vendime të prokurorisë. Nuk kam diçka të veçantë të shtojë. Nuk e di sa janë ato lista zyrtare, nuk kam diçka me shkrim mbi bazën e saj që do të mund të jepja mendimin”, deklaroi Rrustem Berisha.

Por shumë më të ashpër me Prokurorinë në përgjithësi, dhe ish-prokurorin Blakaj kanë qenë zyrtarë tjerë të partisë së Haradinajt.

Madje njëri nga deputetët dhe gjithashtu i akuzuar në këtë proces, Shkumbin Demaliaj ka ofenduar rëndë Blakajn .

“Ofendimi i familjes sime është bërë nga një kriminel që është zgjedhur nga Prokuroria Speciale. Ai është një dezertor, hajn, idiot, rrugaç. Ai nëse babën tim e ka akuzua, babën e vet e ka kudër. Ai është biri kudrës, biri babës vet”, ka thënë Demaliaj.

I ashpër me Blakajn ka qenë edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi.

“Ky dezeror dhe ky manipulues i drejtësisë iku nga atdheu dhe la turpin prapa. Lista të tilla kanë bërë dhe bëjnë vetëm ata që nuk kanë guximin qytetarë ti dalin zot profesionit, popullit dhe atdheut të vet”, ka shkruar Isufi dje në facebook.

Në anën tjetër Organizata e dala nga lufta e UÇK-së kanë kërkuar që ky proces të kthehet në pikën zero.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme