Gjakmarrja e ka ngujuar, 6-vjeçarja lutet: Më lini të shkoj në shkollë

21:24 | 17 Shtator 2018
Trina Galanxhi

“Fiks Fare” solli mbrëmjen e së hënës historinë e një vajze të vogël, Elvanës 6-vjeçare, të cilën gjakësi e ka detyruar të nisë shkollën disa fshatra larg familjes së saj, te gjyshërit.

Elvana 6-vjeçare, nga fshati Pjollë i Malësisë së Madhe, është e detyruar ta ndjekë shkollën te daja, pasi familja e saj prej 15 vitesh është në gjak. Edhe pse është femër, sërish prindërit janë të frikësuar. Gjakmarrja, sipas tyre nuk i kursen më as femrat.

Historia e ngujimi të familjes së Elvanës fillon 15 vite më parë, kur gjyshi dhe gjyshja e saj u vranë nga një bashkëfshatar. Më pas, halla e saj vrau vëllain e gjakësit. Gjykata dënoi si bashkëfajtor në këtë krim edhe babain e Elvanës, i cili është në kërkim edhe sot e kësaj dite.

Frika e gjakësit e detyron familjen të dërgojë vajzën e tyre 6-vjeçare disa fshatra larg për t’u shkolluar. Sot, Elvana është ulur në bankën e shkollës për herë të parë. Në çantë kishte dy fletoret që ia ka blerë mamaja, mbante veshur një pale xhinse të reja dhe një palë atlete të grisura që ia kanë falur.

Mes lotësh, ajo tregon se ka shumë frikë të kthehet në fshatin e saj dhe se dëshiron të shkollohet. Qan me ngashërim dhe tregon se e ka marrë malli për prindërit dhe motrat, por në shtëpinë e saj nuk mund të kthehet.

Gjyshja e Elvanës thotë se familja e saj ka probleme me gjakmarrjen, “ndaj jemi detyruar ta marrim këtu, edhe pse kemi frikë edhe ne”. Ajo shton se gjendja ekonomike e familjes së Elvanës është e rëndë. Gjyshja shton se e bija ka frikë për vajzat./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme