Veseli takon Piculën, flasin për liberalizimin e vizave dhe MSA

16:54 | 17 Shtator 2018
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, anëtarë të Komisionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, të kryesuar nga Tonino Picula.

Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, Kryeparlamentari Veseli falënderoi z. Picula dhe anëtarët e tjerë të delegacionit për mbështetjen e pakursyer ndaj Kosovës dhe për vendimmarrjen e fundit të Parlamentit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Veseli tha se ky delegacion ka dhënë kontribut të çmuar në arritjen e MSA-së për Kosovën, ndërsa tani si pjesë e komisionit të përbashkët me delegacionin e Kuvendit të Kosovës, përbën një forum të pazëvendësueshëm në mbështetje të Kosovës.

“Ky takim i radhës që po mbahet mes dy komisioneve tona që merren me zbatimin e MSA-së bëhet në atmosferën shumë pozitive të krijuar pas përgjigjes pozitive që ka marrë Kosova për liberalizimin e vizave. MSA ishte hapi parë i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës në integrimin e saj evropian. Kosova është tërësisht e përkushtuar në vizionin e saj nacional për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne besojmë në këtë vizion. Nuk kemi asnjë dilemë dhe as nuk mendojmë në alternative tjerë strategjike. Ky përcaktim për të ardhmen i ka rrënjët në identitetin evropian të popullit dhe qytetarëve tanë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai po ashtu tha se liberalizimi i vizave do të shënoj një input të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, tha se Kosova dhe BE-ja duhet të qëndrojnë afër, ndërsa konfirmoi mbështetjen për Prishtinën zyrtare të delegacionit që ai drejton, në të gjitha fushat, me theks të veçantë, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme