Google ADS

“Më mirë më vrit se sa të më rrahësh”, Zef Përnocaj rrëfen se si u prangos nga komunisët kur ishte 12 vjeç

10:51 | 15 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Si refuzoi rreshteri ti vendosë prangat: Nuk e lidh me hekura se asht fëmi ka me qeshe tanë Mirdita me mu…

Zef Përnocaj ishte vetëm 12 vjeç kur regjimi komunist i vuri prangat. Akuza ishte krejt banale. I kishte rënë barra të mbante familjen me bukë se babi i tij ishte burgosur nga regjimi komunist.

Zefi kishte bashkëpunuar me disa fshatare në Kukës për të ndarë të ardhurat që vinin nga korrja e barit në një fshat të Kukësit. Një marrëveshje që i garantonte dy palëve disa të ardhura sa për të mbajtur frymën gjallë.

Ishte vitit 1947, shumica e burrave të familjes së madhe të përnocjave ishin në burg, të tjerë ishin varë e disa ishin arratisur. I ati i Zef Penocit, Ndue Bibë Pëndocaj, ishte në burgun e shkodrës. Ishtë dënuar për agjitacione propagandë.

Preng Gjaci, bashkëfshatar i Zef Pernocajt, ishte asokohe funksionar i pushtetit komunist. Pasi regjimi kishte marrë vesh aktivitetin tregtar të Zefit 12-vjeçar, kishte ngarkuar Preng Gjaçin të niste procedimet. Ja si e rrëfen Zefi atë moment: “Ka ardhë Pjetër Gjoni nga Thirra dhe na ka thanë te shpia se Bibën dhe Zefin me i futë në burg. Në atë moment kam mendue si të veproj.

Po prisja se çfarë do të ndodhte. Një ditë, kur unë isha te mullini, kishte ardhë nji rreshter prej Selite me dy policë e më kërkonin mua. Shkova në shpi dhe i gjeta tu hangër dardha.

Ku asht Zefi? pyesin. Ky asht Zefi, s’kemi tjetër i tha Nana. Isha 12 vjeç dhe, mesa duket, ata kishin kujtue se kishin të bajshin me ndonji burrë. Biseduen ndër veti dhe pastaj thanë: po e marrim edhe të vëllanë. Më çuen në postë dhe më vunë hekurat. Mue më futën mbrenda, ndërsa vëllait tim Bibës, i thanë të rrinte jashtë.

Erdh Preng Gjaci dhe më thirri: Hajde këtu, si e ke punën? Ishte problem se kishim marrë racionin e muajit, kategoria A. Duheshin justifikue ushqimet e marruna. I dhashë listën e puntorëve, por ai deshti me e grisë. I thashë: mos e gris se ta kërkoj në gjyq. Prenga thirri Kolë Laskën:

– Lidhe, ti heq një dru të shnoshë

– Mundesh me më vra, por jo me më rrah, i them, jam i Ndue Bibë Përnocës.

Thirrën Bibën e i thanë të shkonte në shpi, ndërsa unë mbeta vetëm, aty në Postë. Rreshterin që më kishte marrë në Sang, Prenga e kishte nxjerrë roje nate. Ai vjen e më thotë: mos u frigo, jam unë sonte me ty. Hoqi pallton e vet e ma dha mue. Vetëm kur ka dalë drita, ma mori. Në mëngjes, Prenga ishte tu lexue gazetën “Bashkimi” dhe kur më pa zgjidhë, e treti gazetën dhe i briti rreshterit:

– Lidhe ate, çfarë ban?

– Me qeshë Mirdita me mue? joo… shkoj vetë me te, por nuk e lidh se asht fëmi”, Rrëfen Zef Pernocaj, në librin “Dera e Përnocajve të Fanit”, me autor Dodë Nikoll Luli.

Ruga e Zefit për të mbërritur në Kukës, atje ku e kishin caktuar të shkonte për hetime të mëtjeshme, kalonte afër shtëpisë së tij. Rreshteri që e shoqëronte i kishte dhënë shënjat se nuk kishte aspak dëshirë të sillej keq me Zefin 12-vjeçar. Në momentin kur rruga ndahej drejt Kukësit dhe shtëpisë së tij, Zefi i thotë rreshterit se do të ndalonte tek shtëpia për të ngrënë pak bukë. Reshtei pranoi me pak vështiësi dhe të dy u nisën drejt shtëpisë, atje ku e priste nëna e Zefit e cila as që e dinte se i biri 12-vjeçar ishte nën arrest.

Takimi me nënën

“Kur shkova më pyeti nana:

– He bir, ku ke fjetë?

– Ke Zef Nikoll Bardhoci, e rrejta, e tash do të shkoj me marrë rrogat e puntorëve dhe rreshteri më shoqnon se nuk lejohet me shkue vetëm.

– A e pi rakinë ai?

– Po, e pin, na ban edhe do bukë.

Nana bani bukë, tlyen e djathë. Dardhat ishin pjekë, i kërkova rreshterit të marr do dardha për të dy dhe u nisëm. Shkuem në Qafën e Kumbullës. Diku, në nji vend, ma la pushkën, hoqi dhe rripin e fishekëve dhe u ndal për nevoja personale. (Në atë moment, më erdhi ndër mend që axha Dodë më kishte mësue me gjuejt në shej qysh kur isha katër vjeç). Rreshteri u vonue rreth 10 minuta dhe mandej erdh. Ky veprim më bani shumë përshtypje, se unë kisha mundësi të largohesha bashkë me pushkën e tij… por nuk i thashë gja.

Ditët në qelitë e burgut të Kukësit

Më çoi te burgu dhe më dorëzoi. Në burg më hoqën rrypin dhe më futën në një birucë. Ditën e tretë e të katërt më çuen me mbledhë domate. Kur u banë shtatë ditë më thirrën. Kërkova Kapitenin, kisha kuptue se atë që kërkon në burg nuk ta japin. Në fakt, Kapitenin e kishin arrestue, por unë nuk e dija. Ishte puna e triskave dhe ushqimeve që na kishin dhanë. Ra zilja dhe erdh një rreshter: “merre e fute në burg!” e urdhnuen. Më çuen në një zyrë. Kur po kaloja korridorit ndigjoj të burgosunit që të habitun pyesnin: çfarë ka ba ky voc? Në zyrë, kam ra ‘dekun në gjumë’… Më kanë lanë dy ditë në një dhomë me nji batanije e nji kulaç, asgja tjetër. Hajsha me duer lidhë. Gardianët i çonin të burgosunit dy nga dy në nevojtore, ndërsa mue vetëm.

Pastaj më muerën në pyetje: “Kallxo se kam me të mbyt keq”, më tha hetuesi, por nuk pranova asgja, atëherë më transferuen në burgun e madh. Në gjyq më çuen të lidhun me nji burrë që ishte shumë i madh në trup dhe hekurat po e vrisnin. Unë isha i vogël dhe më binin lirë. Ndreko Shava ishte gjyqtari që më gjykoi mue.

Ai tjetri që shkoi në gjyq i lidhun me mue, kishte hy në burg se kishte dorëzue vetëm 31 kg grunë, dhe atë, të keq. Akuza ishte se kishte dorëzue grunë me egjër me qëllim që të helmonte njerëzit. kurse Brahim Tahirin nga Shëmria që e kishin fut në burg se nuk kishte deklarue shtatë dhi.

Mue më liruen në orën 10 të natës. Erdhi një polic, ndezi dritën dhe më vu revolen te kryet, gjeti një batanije, ma dha me vete dhe më nxori përjashta. U gjenda vetëm, nuk dita çfarë të baj dhe kur po ecja ashtu kot, nga më çonin kambët, takova rastësisht atë policin e lokalitetit që, mesa duket, nuk kishte marrë vesh gja për mue dhe më foli:

– Pse jashtë në këtë orë?

– Nuk pat hotel dhe mendova me e kalue natën jashtë.

– Hajde shkojmë në zabel e mbulohemi me batanije.

Bamë zhurmë. Kaq mjaftoi që të tërheqim vëmendjen e policisë që erdhën në vend.

– Çfarë po bani këtu?

– Po flemë sonte se nuk kishte hotel. Jemi shumë mirë.

– Po këtu ka reaksionarë e ju vrasin.

Kur e tregova ngjarjen në shpi, Lala po qeshte, ate i kishin nisë me më pru bukë në burg, por ai e dinte që nuk lejohej e ua kishte dhanë shtegtarëve…”, rrëfen Zef Pernocaj.(kujto)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme