Feronikeli pret Dritën pa trajner, Gjilani dhe Prishtina për vazhdimësi

09:36 | 15 Shtator 2018
A. B.

Java e pestë në elitën e futbollit kosovar do të startojë ditën e sotme (e shtunë).

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita do të ketë një tjetër ndeshje të vështirë.

Pas ndeshjes së humbur në mesjavë nga Llapi 1-2, Drita mbeti pa trajner pasi u largua Bekim Isufi.

Gjilanasit do të udhëtojnë drejt Drenasit ku do të përballen me skuadrën në formë, Feronikelin.

Drenicasit në këtë sfidë vijnë pas katër ndeshjeve të para pa humbje ku filluan me dy barazime dhe realizuan dy fitore.

Ndërkohë Drita ka tri disfata radhazi edhe pse e filloi me fitore kampionatin.

Interesant pritet të jetë edhe në Gjilan, ku skuadra me po të njëjtin emër pret Ballkanin.

Gjilani ka marrë dy fitore dhe një barazim në tri ndeshjet e para, ndërsa Ballkani i Suharekës ka katër pikë në po aq ndeshje.

Dy ndeshjet e lartpërmendura fillojnë nga ora 15:45.

E ndeshja e tretë e ditës së sotme do të zhvillohet në kryeqytet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Fituesit e Kupës së Kosovës, Prishtina do të jetë nikoqir i Ferizajt të rikthyer në Superligë.

Kryeqytetasit janë favorit për të triumfuar në këtë takim dhe vijnë pas barazimit në udhëtim te Ballkani.

Në anën tjetër skuadra e Afrim Tovërlanit ka pësuar tri humbje në katër takime dhe nuk qëndron mirë në tabelë.

Ndeshja mes Prishtinës dhe Ferizajt fillon në ora 19:45. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme