Ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, shumë shpejt do të ulen në bankën e të akuzuarve.
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Prokuroria Speciale të premten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave në rastin e njohur në opinion si rasti “Veteranët”. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sot ka ngritur aktakuzë dhe është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 12 të pandehurve për lëndën e njohur në opinion si ‘Veteranët’ në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’ nga Neni 422 i KPRK-së”, thuhet në këtë njoftim.
Prokuroria ka kërkuar që të ndalohen pagesat e pensioneve për personat të cilët kundërligjshëm janë futur në listat e veteranëve. Ndërsa shuma e dëmit që i është shkaktuar shtetit të Kosovës nga përfituesit e pensioneve të veteranëve të rrejshëm është rreth 70 mijë euro. “Në aktakuzë sipas njoftimit është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së deri në përfundimin e procedurës penale.
Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 68.153.533.14 eurosh”, bën të ditur Prokuroria Speciale. Në njoftim më tutje thuhet se Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë të shpallën fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.
Se aktakuza ka të bëjë me ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve e ka konfirmuar për “Zërin” kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku. “Po, ky rast është. I keni informatat, është ngritur aktakuza për 12 persona, s’kam çka shtoj asgjë”, ka thënë shkurt Millaku. Ngritja e kësaj aktakuze ka ardhur pikërisht një muaj nga dorëheqja e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës Elez Blakaj, cili ishte duke e hetuar ketë rast.
Blakaj: Çdo ushtar – luftëtar i UÇK-së do t’i gëzohet këtij lajmi
Gazeta ka kontaktuar edhe ish-prokurorin Blakaj për të marrë qëndrimin e tij rreth ngritjes së kësaj aktakuze. Ai shkurt ka deklaruar se çdokush që e do sadopak Kosovën duhet t’i gëzohet këtij lajmi. “Çdo person që e do sadopak vendin tonë, çdo ushtar – luftëtar i UÇK-së do t’i gëzohet këtij lajmi. “Gjërat duhet të ecin përpara”, është shprehur shkurt Blakaj për “Zërin”. Gazeta ka kontaktuar edhe njërin nga të akuzuarit e këtij rasti, ish-komandantin e Gardës së Kosovës, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe aktualisht nënkryetar i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku.
Ky ka pohuar se nuk ka njohuri për aktakuzë. “Unë s’jam i njoftuar për asgjë. As s’më ka informuar askush, as s’më ka intervistuar askush. E kam thënë edhe më herët, më ka intervistuar një herë prokurori Blakaj dhe unë nuk e di se për çfarë më është ngritur ajo aktakuzë”, ka thënë Lushtaku. Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe i ish-kryetarin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, aktualisht zëvendësministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.
Ndërkohë, në një prononcim të mëhershëm për “Zërin” lidhur me këtë çështje Çeku kishte konfirmuar se ishte intervistuar prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj rreth procesit të verifikimit të statusit të veteranëve. Zëvendësministri Çeku kishte konfirmuar se ishte intervistuar nga prokurori Elez Blakaj bashkë me anëtarët e tjerë të këtij Komisioni në maj të këtij viti, por kishte mohuar faktin se ekziston një aktakuzë e tillë ndaj tij. “Më ka ftuar të sqaroj se si ka shkuar procesi dhe asnjë përpjekje tjetër nuk ka pasur as nga ai, as nga ana ime.
Nuk e di saktë, më duket të gjithëve na ka ftuar si të dyshuar, kam harruar se përmes telefonit e kam pasur ftesën. Mund ta konfirmoj se gjithë anëtarët e Komisionit, jo vetëm mua, por të gjithëve një nga një na ka thirrur. Nuk kam vërejtur asnjë element se ai mund të ngrejë aktakuzë kundër nesh, por sidoqoftë nuk kam kurrfarë informacioni përveç asaj që lexova sot. Por që kam qenë i intervistuar po, unë dhe gjithë të tjerët”, ishte shprehur Çeku për “Zërin”. Ndryshe, në aktakuzën që kishte lënë të gatshme ish-prokurori Blakaj, e cila ishte publikuar në medie, thuhej se të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari.
“Të gjithë këta, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “në cilësinë e personave zyrtarë me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në aktakuzën e nënshkruar nga ish-prokurori Blakaj.
Delawie i gëzohet aktakuzës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka komentuar mbi ngritjen e aktakuzave për mashtrime me pensione të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në “Twitter” ai ka thënë se ndihet krenar për këtë gjë. “Është ngritur aktakuzë për mashtrim me pensionet, krenar për Kosovën për marrjen e këtij hapi të rëndësishëm për luftimin e korrupsionit”, ka shkruar Delawie.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/zyrtarizohet-aktakuza-per-veteranet-e-rrejshem-576125/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Çfarë parashikon doktrina e re bërthamore e Rusisë?
Edi dyshon: Kur vjen motra me të thanë për babë nuk është mi...
Lirohet pa akuza gruaja iraniane që u zhvesh në shenjë prote...
Sam Altman i OpenAI pjesë e qeverisë së San Franciskos
Rizvanolli njofton se po shqyrtohet mundësia për prodhimin e...
Përse qentë na lëpijnë? Ndoshta diçka dëshirojnë të na thonë