Drejtoresha heq mësuesen nga puna për arsye politike, pastaj shkarkohet edhe vetë nga detyra

21:51 | 14 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Mësuese Fatbardha Alushaj rrëfeu për emisionin “Stop” si e larguan padrejtësisht nga shkolla 9-vjeçare “Ismail Klosi” në Ballsh, me pretendimin se nuk kishte marrë pjesë në portal. Por kur është punësuar si mësuese në këtë institucion, portali nuk ekzistonte.

“Jam mësuese në shkollën 9-vjeçare “Ismail Klosi” prej 4 vjetësh. Dy vitet e para kam qenë mësuese në lëndën e edukimit fizik me kontratë të përcaktuar. Në vitin 2016 emërohem si mësuese ndihmëse me afat të papërcaktuar, pra me kontratë definitive. Kam punuar me një fëmij që ka probleme dhe pas një farë kohe më vjen një shkresë nga Zyra Arsimore dhe Drejtoria Arsimore, ku thuhet se duhet të më zgjidhet kjo kontratë, pasi unë nuk kam marrë pjesë në asnjë nga portalet “Mësues për Shqipërinë”.

Një udhëzim i tillë nuk ka dalë në vitin që unë kam dalë si mësuese ndihmëse, por në vitin 2017-2018. Unë nuk kam pranuar të firmos, por zgjidhja e kontratës u bë në mënyrë të njëanshme nga ana e drejtorisë së shkollës”, shpjegoi mësuese Fatbardha.

Marrëdhëniet e punës së Fatbardha Alushajt me shkollën “Ismail Klosi” janë ndërprerë në fundin e muajit Qershor dhe aktualisht është e papunë.

“Unë besoj se ky është një akt politik sepse deri diku ma kanë komunikuar. Vetë drejtoresha më tha që të mos bëja përpjekje më tej sepse ata kështu e urdhëronin”, theksoi denoncuesja.

Lidhur me këtë deklaratë të fortë të Fatbardha Alushajt, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua shkollës “Ismail Klosi” për të komunikuar me drejtoreshën Loreta Zeqaj, e cila çuditërisht u shkarkua në po të njëjtën ditë.

Drejtoresha u shpreh se është shkarkuar për arsye politike, ndërsa për mësuesen Fatbardha Alushaj tha se përgjegjësia e kontratës i takon Drejtorisë Arsimore Rajonale në Fier. Ndaj dhe gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua DAR-it për të zbuluar arsyen e largimit nga puna të mësuese Fatbardhës.

Drejtoresha e këtij institucioni, Yllba Beci tha se kontrata me afat të papërcaktuar që ka lidhur Fatbardha Alushaj me shkollën “Ismail Klosi” bie ndesh me të gjitha udhëzimet që ka në fuqi arsimi parauniversitar.

“Nuk i plotësonte kriteret përkatëse dhe për këtë arsye kjo kontratë është zhbërë. Pasi është kapur me një shkelje prej një kontrolli të kryer  nga institicuionet në varësi”, shpjegoi drejtoresha Beci.

Ndërsa juristja Këze Hyskaj tha se DAR Fier i është drejtuar Zyrës Arsimore në Mallakastër për verifikimin dhe marrjen e masave përkatëse për drejtorinë e shkollës, që ka bërë lidhjen e kontratës.

Si përfundim, nuk ka rëndësi nëse Fatbardha Alushaj është larguar nga puna për arsye politike apo jo, por që tanimë është e papunë, ashtu si dhe drejtoresha Loreta Zeqaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme