Google ADS

Ish-drejtori i KEK-ut thotë se nuk ishte i kërcënuar nga Sami Lushtaku për nënshkrimin e tenderit mbi 6 milion euro

17:04 | 14 Shtator 2018
Arbresh.info

Ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj ka mohuar se ka qenë i kërcënuar nga ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, me rastin e nënshkrimit të tenderit për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut.

Këtë deklaratë, ai e ka dhënë në shqyrtimin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij dhe gjashtë të akuzuarve tjerë, në mesin e të cilëve edhe ish-kryetari Lushtaku, e ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në rastin e tenderit për sigurinë fizike në KEK.

“Unë nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar nga ana e Sami Lushtakut. Për çdo kërcënim që kam pasur gjatë gjithë kohës sa kam ushtruar detyrën e drejtorit të KEK-ut, kam bërë kallëzim penal” ka deklaruar Gjukaj, gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se takimi me Lushtakun kishte ndodhur për shkak të disa investimeve që KEK-u kishte bërë në Komunën e Skenderajt.

“Është e vërtetë se unë jam takuar me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Por, ky takim ka qenë plotësisht i karakterit zyrtar, për shkak të disa investimeve që KEK-u kishte bërë në komunën që Lushtaku drejtonte. Gjatë asaj kohe, takime të kësaj natyre kam pasur pothuajse me të gjithë kryetarët e komunave. I tillë ka qenë edhe takimi me Sami Lushtakun. Dua të potencoj se ky takim është zhvilluar në zyrën time, pasi që tenderi për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut është nënshkruar” ka shtuar Gjukaj.Tutje, Gjukaj ka thënë se çdo veprim në këtë proces ka qenë në përputhje me ligjin, duke sqaruar se cilët kanë qenë hapat që janë ndërmarrë deri në nënshkrimin e kontratës për këtë tender.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme