Dorëzohet në gjykatë aktakuza e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, për rastin e njohur si “Veteranët”

16:15 | 14 Shtator 2018
M. A.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën e rastit të njohur si “Veteranët”.

Siç njofton PSRK-ja, në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale të ““keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë””.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), sot ka ngritur aktakuzë dhe është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Në këtë komunikatë PSRK-ja, po ashtu ka njoftuar se i ka propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje në njoftim thuhet se nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

“Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë  të shpallën fajtor dhe të gjykohen sipas ligjit. Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që gjykata të merr vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm të u ndalohet marrja e pensionit si veteran luftëtarë i UÇK-së”, vazhdon njoftimi për media e PSRK-së.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më herët ka raportuar se sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./Betimipërdrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme